Është parë me shqetësim nga ithtarët e Vetëvendosjes vendi që Edi Rama zgjodhi për të pritur Albin Kurtin dhe qeverinë e tij tek “Fish City” në Elbasan. Kompleksi është pronë e Gjergj Lucës, i njohur për bindjet që qeverisja duhet të ketë prioritet biznesin dhe jo shtresat e varfra, sepse kështu nxit punësimin. Thirrja e Lucës kulmoi gjatë fushatë së 25 Prillit kur ai tha se vota për Edi Ramën, ishte votë që shkonte për të dhe miqtë e tij biznesmenë Çet Kastrati, Samir Mane etj.
Faktin që dy kryeministrat mblodhën qeveritë në kompleksin e tij, nuk ka qenë rastësi sipas biznesmenit, i cili shpjeguar në një intervistë për TVSH domethënien e vendimit të tyre.
“Ndjehem jashtëzakonisht mirë që ka qenë zgjedhja e atyre, e dy liderëve tonë që pikërisht të zgjedhin këtë vend të punës dhe të të vërtetës. Sepse lajtmotivi i dy kombeve tona duhet të jetë puna. Pa punë ne nuk kemi mundësi ta shohim të vërtetën në sy dhe kur e pranojmë të vërtetën, ne kemi respekt për punën që krijojmë. Mendoj që kjo do të jetë pjesa më e mirë e të dy qeverive, e të gjithë kombit tonë që ne kemi mundësi të ecim me ritmin që ne na takon. Unë e shoh detaj shumë sinjifikativ që këta kanë zgjedhur këtë vend, se unë mendoj që politika duhet të ndjekë ritmin tonë dhe i gjithë biznesi shqiptar duhet të ndjehet siç ndjehem unë për zgjedhjen që kanë bërë dy liderët e kombit tonë” ka thënë Luca.
Mes emocioneve që i ka provokuar vizita e dy kryeministrave, Luca ka shprehur edhe një herë bindjen e tij se qeveria duhet ta heqë asistencën sociale, të cilën ai e sheh si nxitje të dembelizmit. “Fukaraja është i pandershëm” u shpreh Luca duke cituar një atë që e quajti një shprehje të Gjergj Fishtës.
“E gjithë skema në Shqipëri, nuk e di për Kosovën, por këtu në Shqipëri, për asistencën sociale është një skemë gabim, sepse të gjithë këto miliona që paguan shteti për asistencën sociale, unë gjykoj dhe e kam thënë përherë, 90% e këtij kontributi që jep shteti nga taksat tona, nga taksat e atyre grave që kanë kurajo dhe punojnë, që kanë jetë sociale që duan të ecin përpara, që duan të kuptojnë të vërtetën, ta shohin në sy dhe duan të punojnë, nuk kanë pse paguajnë për dembelat, nuk kanë pse paguajnë për të pandershmit. Korifeu i letrave shqipe, Fishta ka thënë një fjalë që mu shpesh më janë turrë, por është e vërtetë. Ai ka thënë që “fukaraja është i pandershëm” dhe që të bëhet i ndershëm, duhet të bëhet vetëm nëpërmjet punës” u shpreh Luca në intervistë.
Gjatë pritjes së Albin Kurtit dhe të Edi Ramës, Luca i shoqëroi të dy kryeministrat në ambjentet pronës së tij, në kinemanë dhe ambjentet e tjera të fabrikës. Shëtitja u transmetua live në profilin në Facebook nga kryeministri Edi Rama, që i bëri bashkë Lucën dhe Kurtin, pavarësisht pikëpamjeve që kanë si njëri, ashtu edhe tjetri./Lapsi.al