Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se ka prova që persona të larguar nga politika për shkak të ligjit të dekriminalizmit dhe persona të lidhur me botën e krimit po punojnë për “Foltoren” e Sali Berishës.
Basha thotë se Berisha po fshihet pas metaforave, por persona si Aqif Rakipi, Tom Doshi, Suel Çela dhe Rrahman Rraja po shantazhojnë demokratët.
“Nuk preferoj të komentoj metafora, pas të cilave nuk fshihet dot mungesa e përgjigjes. Zoti Berisha njihet që me protagonizmin e tij, është marrë me figura që askush ndoshta s’i kishte dëgjuar para se të denoncoheshin nga ai. Dhe shumë prej këtyre denoncimeve edhe kanë qëndruar. Jo të gjitha, por një pjesë kanë qëndruar. Si mund të mos merret ai, me atë që e di i gjithë Elbasani, që Aqif Rakipi, i larguar nga parlamenti për shkak të Ligjit të dekriminalizimit, po punon ethshëm për të kërcënuar e shantazhuar demokratët e Elbasanit?
A ka fakte për këtë?
Pa diskutim! Sekretari i përgjithshëm i ka bërë publike të gjitha ato që PD-ja ka konstatuar dhe ka njoftuar po kështu edhe faktin që gjithçka është e dokumentuar dhe e verifikueshme. Pra, që të kthehemi te pyetja, bëhet fjalë për një figurë kryesore të krimit të organizuar që është përjashtuar nga parlamenti për shkak të dekriminalizimit; për Suel Çelën, që u kthye në një personazh të krimit në zgjedhjet e 25 prillit; për Rrahman Rrajën në Fushë-Krujë; për Tom Doshin. Bëhet fjalë për figura të krimit të organizuar që më 25 prill kanë qenë në krah të Edi Ramës më keq se kaq. Janë pjesë e masakrës zgjedhore.
Kanë dhunuar demokratët edhe fizikisht. Ç’i lidh ata me lëvizjen e Sali Berishës? Kësaj pyetjeje, Sali Berisha ka më shumë se 10 ditë që nuk i jep përgjigje dhe nuk mund të fshihet as pas metaforave dhe as pas pllakatave që shpalos në faqen e tij zyrtare apo në foltore. Fakti është që këta njerëz, që ne i kishim përballë dhe kundër dhe janë bashkautorë të masakrës zgjedhore të 25 prillit, sot papritur kanë interes që të mbështesin zoti Berisha. Dhe ky është një problem shumë i madh, i cili, për ta thënë me fjalë të buta, dëmton rëndë besueshmërinë dhe legjitimitetin e gjithçkaje tjetër që Sali Berisha pretendon në raport me këtë lëvizje” – tha Basha në një intervistë në Report Tv. ©LAPSI.al