Sali Berisha ka reaguar për herë të parë, pasi Lulzim Basha njoftoi mbledhjen e Kuvendit të PD-së në 18 Dhjetor, 7 ditë pas atij që ka njoftuar ish-kryeministri, të cilin lideri demokrat e injoroi. Sali Berisha foli për një plan sipas tij të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës kundër tij dhe Kuvendit që ka thirrur. “Ju them të dyve i vendosni gishtin kokës” ishte mesazhi i ish-kryeministrit për liderin e shumicës dhe opozitës.
“Edi Rama njëlloj si dajë Koleka i tij që në 1990 propozonte që t’i futeshin tanket pluralizmit edhe ky besnik i tij me pengun, me peng Bashën përpiqet që të minojë sot përpjekjen madhore të shqiptarëve, revolucionin e tyre paqësor për rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
E them këtë sepse sot, pasi prej disa ditësh u dorëzuan në selinë e PD-së 4200 firma të delegatëve të Kuvendit të PD-së, të grave dhe burrave vizionar të kësaj partie, që konstatojnë që PD është shndërruar në një fasadë të pushtetit, dhe rikthimi i kësaj në një forcë të vërtetë opozitare është jetike, 4200 guximtarë u ngritën mbi të gjitha format banale, të pandershme dhe të turpshme të presioneve dhe firmën për rivendosjen e pluralizmit.
Përpjekjet për të penguar në një mënyrë apo një tjetër vullkanin janë sa qesharake aq edhe të turpshme. 5 ditë pas dorëzimit të 4200 firmave, peng kryetari i PD-së mbledh Kryesinë false apo fake të kësaj partie dhe njofton datën që jep pengu i tij Edi Rama për Kuvend të PD-së, 18 Dhjetor.
Me këtë rast unë dua të garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik, se nuk do të ketë kurrë asnjë forcë dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe se kuvendi i PD-së do të mblidhet datën e shpallur prej tyre dhe jo sipas rendit të ditës së peng kryetarit, por sipas atij që ata guximtarë kanë firmosur.
I them Edi Ramës hiq dorë. Bashës i them që me 11 Dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e PD-së. Ju them të dyve i vendosni gishtin kokës. Ndaj vazhdoni ju bashkëpunimin, por Kuvendi i demokratëve është i pandalshëm, emrat e guximtarëve që firmosën do të skaliten në muret e kohës” tha ai.