Gjysma e votuesve të Partisë Demokratike preferon Sali Berishën si kryetar të PD (foto lart). Lulzim Basha mbështetet nga 1/3-ta e votuesve të PD, për të qëndruar në karrigen e kryetarit të partisë. Vetëm 8.3% e votuesve të PD mendojnë që partisë i duhet një udhëheqës i ri.
Thuajse gjysma e votuesve të PD-së mendojnë se largimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat nuk e ndihmon partinë të vijë në pushtet më shpejt. Vetëm 22% e tyre mendojnë se vendimi i Bashës e ndihmon ardhjen në pushtet të PD-së.

Më shumë se gjysma e votuesve të Partisë Demokratike kundërshtojnë vendimin e Lulzim Bashës për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Vetëm 23% e tyre mbështesin vendimin e Bashës.

Por vendimi i Bashës duket se gjen mbështetje në popullsinë jo anëtare të PD. Të pyetur nga Euronews Albania dhe MRB mbi çështjen Basha-Berisha, thuajse gjysma e shqiptarëve janë dakord me vendimin e Lulzim Bashës për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar. Vetëm 28% e tyre nuk janë dakord.

Pavarësisht kësaj, 43% e shqiptarëve nuk e shohin largimin e Berishës, si tregues të një pakti të fshehtë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha. Vetëm 18% e shqiptarëve besojnë tek një marrëveshje e fshehtë mes tyre.
