Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e ka konsideruar të padrejtë pushimin nga puna të mjekut të QSUT, Ilir Allkja. Ai u pushua gjatë pandemisë teksa ishte pjesë e Urgjencës së QSUT.
Allkja denoncoi disa herë atë që po ndodhte me pacientët, veçanërisht ata që kishin nevoja për hospitalizim, të cilët prisnin në ambulanca me orë të tëra, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore.
Tashmë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shprehet se argumentat e dhënë nga QSUT për zgjidhjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës me mjekun nuk qëndrojnë dhe se referimi tek baza ligjore e cituar në vendimin për largimin e tij nga puna, është i gabuar dhe i keqzbatuar.
“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskrimini është shprehur se ndaj meje janë përmbushur të treja kushtet e diskriminimit: Trajtim i padrejtë, Trajtim i pabarabartë e i pafavorshëm, si dhe mungesë justifikimi të arsyeshëm dhe objektiv”, shkruan Allkja në rrjetet sociale.
Mjeku Allkja bëri denoncime të forta, lidhur me trajtimin e pacientëve dhe kushtet jo të përshtatshme, si qëndrimi në ambulancë për orë të tëra. Ai u thirr nga spitali për këtë arsye dhe një javë më pas, ku ju komuniku me një letër shkarkimi nga puna për shkelje të etikës.