"Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet ekzistuese historike midis dy popujve dhe të ngritë raportet me Greqinë, si element i rëndësishëm për stabilitetit afatgjatë rajonal".
Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Athinë.
“Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët”, - tha kryeministri Kurti, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti u falënderua për mbështetjen dhe për qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, që Greqia e ka dëshmuar sidomos në këta muajt e fundit, me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në njoftimin nga ky takim thuhet se Kurti kërkoi që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën. Kryeministri Kurti njoftoi homologun e tij grek mbi të arriturat e qeverisjes së re në Kosovë në këto 100 ditë të para, përfshirë këtu menaxhimin e mirë të pandemisë.
Në këtë takim, kryeministri Mitsotakis rikonfirmoi përkushtimin e Greqisë në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për shtimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike Kosovë-Greqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të enjte po merr pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë në Athinë. Në këtë tryezë, të 25-tën me radhë, organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” po marrin pjesë kryeministra e ministra të vendeve të ndryshme, zyrtarë qeveritarë, vendimmarrës, drejtues të korporatave dhe akademikë.