OSBE kërkon të ndalen të gjitha veprimet e qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar. Deklarata vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger, i cili i është përgjigjur kështu apelit dhe shqetësimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
“Të gjitha palët e përfshira duhet të presin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të ndërmarrin hapa të mëtejshëm” në lidhje me çështjen e ndërtimit të një ndërtese të re të Teatrit Kombëtar”, thuhet në përgjigjen e Greminger.
Letra e Plotë
Të nderuar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit,
Kam marrë me kënaqësi ftesën tuaj, pasi ajo tregon konsideratë për Organizatën që unë përfaqësoj. Megjithatë, për fat të keq, për shkak të një vizite të shkurtër dhe një axhende të ngushtë, nuk isha në gjendje t’i përgjigjesha pozitivisht.
Duke pasur parasysh zhvillimin e djeshëm, përkatësisht Presidentin e Republikës, duke paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ligjin e posaçëm për ndërtimin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, të gjitha palët duhet të presin vendimin e Gjykatës së Lartë para se të vazhdojnë më tutje kjo çështje.
Përshëndetje më të përzemërta,
Thomas Greminger
Aleanca e kishte ftuar Greminger për një takim, gjatë vizitës së tij të sotme në Tiranë, por në pamundësi të takimit, për shkak të kohës së shkurtër të parashikuar për vizitën, ai i ka kthyer përgjigje publike Aleancës, duke bërë të njohur edhe qendrimin e tij për çështjen e teatrit. Në përgjigje, Greminger i është referuar apelimit, dje, të ligjit special për Teatrin Kombëtar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti Meta.
Në këtë mënyrë, Sekretari i Përgjithshëm bëhet jo vetëm drejtuesi më i lartë ndërkombëtar që mban qendrim publik për këtë cështjen, por, mbi të gjitha, mban qendrim haptas kundër qasjes që po ndjek qeveria.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur propaganda e Kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj për prishjen e ndërtesës së Teatrit është bërë e ethshme dhe kur ndaj artistëve dhe qytetarëve që mbrojnë teatrin po bëhet trysni e hapur publike.
