Flash

Eliot Engel kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

Lapsi.al 4 July 2019
Eliot Engel kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të enjten në Preshevë, se nuk mbështet idetë për shkëmbim territoresh dhe përpjekjet duhet të përqendrohen në arritjen e një paqeje afatgjate ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ligjvënësi Engel po qëndron në Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë në një mision faktmbledhës.

Pas takimit me kryetarin e komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ai foli për përfshirjen e gjatë në Ballkan dhe posaçërisht për pavarësinë e Kosovës, ndërsa vuri theksin tek nevoja për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mendoj fare që është drejtim i duhur shkëmbimi i territoreve. Jam i shqetësuar për këtë sepse, nëse filloni të ndryshoni kufijtë në Ballkan, ku përfundon kjo? Ka shumë vende tjera që duan të ndryshojnë kufijtë dhe për këtë arsye Ballkani u fut në telashe në radhë të parë”, tha ai.

Zoti Engel tha se përpjekjet duhet të përqendrohen në arritjen e një paqeje afatgjate dhe marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për të arritur këtë, palët duhet të bisedojnë më njëri tjetrin.

“Shpresoj që kjo do të ndodhë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë po ashtu një rol pozitiv në këtë drejtim”, tha zoti Engel.

Ai shkoi në Luginën e Preshevës pas vizitës në Beograd, ku ai bisedoi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, lidhur me bisedimet me Kosovën, arritjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate në Ballkan dhe vënien e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Zoti Engel, i cili njihet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, do të qëndrojë më vonë gjatë ditës në Prishtinë ku do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përurimin e ndërtesës së ambasadës amerikane. /VOA/

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI