Flash

Vetëvendosja me qëndrim zyrtar për zgjedhjet e të dielës në Shqipëri: Zgjidhja nuk vjen me 30 qershorin

Lapsi.al 28 June 2019
Vetëvendosja me qëndrim zyrtar për zgjedhjet e të

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me qëndrim zyrtar për zgjedhjet në Shqipëri duke qortuar mazhorancën qeverisëse dhe opozitën e vendit.

Me titullin “E vjetra ende s’ka rënë, e reja ende s’është ngritur”, Lëvizja Vetëvendosje thotë se përfshirja e shqiptarëve në protestat masive është shenjë e vitalitetit të madh të kombit tonë, dhe shenjë e refuzimit për t’u nënshtruar.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që shqiptarët të përmbahen me gjakftohtësi.

Sipas partisë së Albin Kurtit, zgjidhja e krizës së madhe shqiptare nuk ka për të ardhur përmes 30 qershorit, mbahen ose jo zgjedhje në atë ditë.

"Zgjidhja nuk ka për të qenë e shpejtë dhe as afatshkurtër. Kush kërkon zgjidhje të shpejta do të përfundojë në projekte të vjetra, që riciklojnë të vjetrën. E reja vjen vetëm me shumë punë e angazhim, me gatishmëri për kontribut e me shumë sakrifica. Ajo ende s’është ngritur, por ajo është sot e kërkuar si kurrë më parë prej shqiptarëve. Prandaj, ajo ka për t’u ngritur prej vetë shqiptarëve." - mbyllet reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

REAGIMI: 

E vjetra ende s’ka rënë, e reja ende s’është ngritur

Gjatë protestave studentore partitë kryesore politike në Shqipëri morën goditje të forta që ua tronditën legjitimitetin. Ato protesta u dhanë shqiptarëve, pas gati tri dekadave, përfytyrimin mbi të renë, dhe besimin se ajo është e mundshme. Kriza aktuale institucionale dhe politike në Republikën e Shqipërisë, skandalet e manipulimit të zgjedhjeve që kanë dalë në publik, dhe mungesa e alternativave të qarta programatike politike, tregojnë se pavarësisht delegjitimimit moral, në Shqipëri e vjetra ende s’ka rënë ndërsa e reja ende s’është ngritur, ndonëse ajo është tashmë në mendjet dhe zemrat e njerëzve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka ndjekur hap pas hapi, me shumë vëmendje dhe shqetësim, të gjitha zhvillimet politike në Shqipëri. Politika në Shqipëri nuk është në krizë procedurale. Ajo që ndihet menjëherë është zbrazja e politikës dhe e institucioneve nga morali dhe idetë, dhe pamundësia e aktorëve të vjetër politikë për të frymëzuar dhe nxitur imagjinatën mbi ndryshimet e domosdoshme dhe rrënjësore të sistemit. Aktorët kryesorë politikë në Shqipëri, deri te drejtuesit e pushtetit lokal janë sot të pasigurtë në pozicionet e tyre, për shkak të delegjitimit të përgjithshëm që i ka ndodhur sistemit dhe vetë partive dhe institucioneve që përfaqësojnë. Kjo pasiguri e tyre është pasiguri për të mbajtur ose për të marrë pushtetin, dhe po i bënë ata të përjetojnë vetëm një pjesë të vogël të krizës së vërtetë ekonomike e sociale dhe të krizës së përfaqësimit politik në të cilën janë zhytur shumica e shqiptarëve që jetojnë në pasiguri prej vitesh.

Shqiptarët kanë sot shumë arsye për të protestuar. Demokracia nuk zhvillohet vetëm brenda insitucioneve, e aq më pak në institucionet e një shteti të kapur. Kur shteti kapet demokracia pashmangshëm derdhet në rrugë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në protesta, si e drejtë e patjetërsueshme e tyre. Përfshirja e shqiptarëve në protestat masive është shenjë e vitalitetit të madh të kombit tonë, dhe shenjë e refuzimit për t’u nënshtruar. Megjithatë, është e domosdoshme që shqiptarët të përmbahen me gjakftohtësi nga përfshirja në organizime që mund të provokojnë situata të padëshiruara, dhe që nuk synojnë të sjellin të renë më shumë sesa të bëjnë riciklimin e së vjetrës. Situata është shumë e rëndë, por zgjidhjet e ofruara deri më sot nga lart nuk janë në fakt në lartësinë e situatës.

Nga funksionimi privat në ekzekutiv te cirku publik në legjislativ, nga demokracia e zyrave dhe kancelarive te administrata shtetërore e partizuar, nga mjerimi i papunësisë te punësimi i mjerë, nga shitblerja a vjedhja e votave te manipulimi industrial elektoral, nga privatizimi i pasurive kombëtare te tretja demografike e popullsisë, të gjitha këto përbëjnë gjerësinë e krizës dhe shënojnë thellësinë e saj.

Zgjidhja e krizës së madhe shqiptare nuk ka për të ardhur përmes 30 qershorit, mbahen ose jo zgjedhje në atë ditë. Zgjidhja nuk ka për të qenë e shpejtë dhe as afatshkurtër. Kush kërkon zgjidhje të shpejta do të përfundojë në projekte të vjetra, që riciklojnë të vjetrën. E reja vjen vetëm me shumë punë e angazhim, me gatishmëri për kontribut e me shumë sakrifica. Ajo ende s’është ngritur, por ajo është sot e kërkuar si kurrë më parë prej shqiptarëve. Prandaj, ajo ka për t’u ngritur prej vetë shqiptarëve.

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI