Flash

Kathimerini: Kaos në Tiranë, Rama nën presion

Lapsi.al 17 October 2026

Kathimerini: Kaos në Tiranë, Rama nën presion

Nga Kathimerini

Të martën e kaluar, Edi Rama ndodhej në Luksemburg, nga ku, i mbushur me gëzim dhe krenari kombëtare, njoftoi se kishte mbyllur edhe kapitullin e 20-të të negociatave për anëtarësimin. Ai rikujtoi se Shqipëria, nën drejtimin e tij, është vetëm një hap larg “rubinetit” evropian, nga i cili bashkëkombësit e tij do të pinë së shpejti “ujin e pavdekësisë”.

Pak para se të transmetonte këtë lajm të gëzueshëm, bashkëpunëtorët e informuan se në Tiranë studentët kishin dalë në rrugë dhe po përplaseshin me policinë, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Me tonin e njohur përçmues dhe arrogant, me të cilin u drejtohet atyre që kundërshtojnë pikëpamjet e tij, ai nxitoi të komentonte se, ndërsa vetë po luftonte për ta futur vendin në Bashkimin Evropian, disa të tjerë, të nxitur nga opozita dhe nga qarqe të huaja, po përpiqeshin të sabotonin përpjekjet e tij.

Kur u kthye në mbrëmje, e gjeti qendrën e Tiranës në gjendje lufte. Protestuesit u vinin zjarrin ndërtesave qeveritare, thyenin dhe plaçkitnin dyqane, ngrinin barrikada dhe përlesheshin me policinë me një egërsi të paparë. I patrazuar, ai vazhdoi në të njëjtën linjë, duke u përpjekur të ndante studentët nga ata që hidhnin gurë, shkopinj dhe bomba molotov, si dhe duke akuzuar Sali Berishën, tashmë në moshë shumë të thyer, por të neutralizuar politikisht, se qëndronte pas akteve të dhunës.

Ashtu si në «kryengritjen e flamingove» në qershor, edhe tani ai nxitoi ta spërkaste rrëfimin e tij për protestat e fuqishme me pak teori konspirative — duke aluduar për një dorë të huaj. Protestat vijuan me intensitet të pandërprerë deri dje.

Mobilizimet në zhvillim dhe dhuna në përshkallëzim nuk erdhën si rrufe në qiell të hapur. Studentët morën stafetën nga të rinjtë që, në fillim të verës, kundërshtuan aktivisht dhënien në përdorim të sipërfaqeve bregdetare me vlerë të lartë mjedisore në Zvërnec të Vlorës.

Tani, ashtu si në qershor, protestat po përhapen edhe në qytete të tjera, duke shënuar, sipas analistit me përvojë nga Kosova, Veton Surroi, në një artikull të botuar në Lapsi, «një fazë të re të kryengritjes politike të shqiptarëve, e cila po e çon qeverinë drejt delegjitimimit të plotë».

Rasti i «flamingove»
Nga ana e tij, Rama po ndjek sërish strategjinë që zbatoi në rastin e «flamingove». Pra, pret që protestat të shterojnë dhe të humbasin forcën. Nëse ia del, do të ketë një tjetër fitore për të shënuar dhe do të vazhdojë të paraqitet si një Moisi modern, që po e udhëheq «popullin e tij» drejt «Tokës së Premtuar», domethënë Bashkimit Evropian.

Në fund të fundit, kjo është edhe karta e fortë mbi të cilën ai ka vënë bast mbijetesën e tij politike dhe vazhdimësinë e pushtetit.

E vërteta është se «jashtë vendit i ecën mirë». Ai ka arritur t'i bindë evropianët dhe amerikanët se vetëm ai mund të garantojë stabilitetin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në pjesën tjetër të hapësirës shqiptare në Ballkan. Ai e futi vendin në NATO dhe tani Bashkimi Evropian i ka hapur krahët, përveç rastit kur…

Brenda vendit, lideri socialist kujdeset të shfaqë modernizimin e vendit dhe zhvillimin e shpejtë të ekonomisë, të mbështetur te turizmi dhe pasuritë e paluajtshme. Por pikërisht këtu ekzistojnë zona gri që mund të jenë të rrezikshme për të.

Zbulimet e njëpasnjëshme rreth investimeve të baronëve të drogës në rrokaqiej në Tiranë, Durrës, Vlorë e qytete të tjera, si dhe në komplekse hotelesh luksoze, gjigante e thuajse faraonike në jug të vendit, janë kthyer në makthin e tij.

Në çdo skandal që Prokuroria e Posaçme e Pavarur, SPAK, ka hetuar deri më tani, janë gjetur të përfshirë zyrtarë partiakë dhe qeveritarë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dyshohet, sipas Prokurorisë, se është e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Llogarasë në jug të vendit, një projekt me vlerë shumë milionëshe. Drejtoresha e Shërbimit Informativ Kombëtar, Vlora Hyseni, e emëruar nga vetë Rama, është vendosur tashmë në arrest shtëpie, nën hetim për lidhje të ngushta me një figurë të njohur të mafies së ndërtimit. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe një figurë e partisë së tij ndodhet në paraburgim.

Opozita, por edhe mediat ndërkombëtare, këmbëngulin se një rrjet jashtëzakonisht i fuqishëm i aktorëve të krimit të organizuar e mbështet Ramën dhe mbështetet prej tij, dhe se, në rast të rënies së tij, do të rrëzohej bashkë me të edhe i gjithë ky sistem.

Makthi më i madh i liderit shqiptar është që hetimet e SPAK-ut të ndërpresin rrjedhën e «parave të pista» drejt ekonomisë në lulëzim. Por tani atij i duhet të përballet edhe me sfidën e studentëve. Shqetësimi i tij është se mos protestat e fuqishme e thellojnë përçarjen mes tij dhe shoqërisë.

Një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë pa rrugëdalje, sipas analistëve, do të ishte të përpiqej të dilte nga ngërçi përmes zgjedhjeve në pranverë.

Duke qenë se, në të vërtetë, ai nuk ka një opozitë që të mund ta sfidojë seriozisht për rrëzimin nga pushteti, konsiderohet e mundshme që të zgjedhë këtë skenar, për të kërkuar legjitimitet politik përmes votës.

Megjithatë, për kundërshtarët e tij politikë dhe studentët e revoltuar, zgjedhjet e zhvilluara me sistemin e Ramës të paprekur — të njëjtin sistem me të cilin ai fitoi tri garat e mëparshme elektorale — janë të papranueshme.

Të këshilluara

ide

Dhunë? Po, të lutem! Por, kundër kujt?

Dëmi që i është bërë Shqipërisë përgjatë qeverisjes së regjimit të Ramës, është radikalisht i pakrahasueshëm me dëmin minimal të shkaktuar përgjatë këtyre ditëve."

20:08 Agon Hamza

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

91.32

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI