Flash

Mesazh i koduar?/ Ambasada Gjermane bën një postim të çuditshëm (Në kulm të protestave)

Diplomacia rrallë flet me deklarata të drejtpërdrejta. Ajo komunikon me simbole, me kohën kur zgjedh të flasë dhe me mesazhet që duhen lexuar mes rreshtave. Pikërisht për këtë arsye, postimi i Ambasadës Gjermane në Tiranë, i publikuar në kulmin e protestave më të mëdha (e sot më të tensionuar) kundër qeverisë Rama, ka ngritur një pyetje që nuk mund të anashkalohet.

19:22

Inteligjenca artificiale pa kontroll në Ballkanin Perëndimor

Lapsi.al 2 July 2026

Nga Nevena Bogdanoviq, Flaka Zogu dhe Predrag Zvijerac, REL

“Unë jam asistenti juaj virtual. Mirë se vini!”

Ky është mesazhi me të cilin qytetarët në Ballkanin Perëndimor përballen gjithnjë e më shpesh kur vizitojnë faqet zyrtare të institucioneve ose bankave.

Në vend të një punonjësi, pyetjeve të tyre u përgjigjen chatbotë, ose asistentë virtualë, të bazuar në inteligjencën artificiale (IA).

Megjithatë, përdorimi i teknologjive si kjo ende nuk është i rregulluar qartë me ligj.

Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia ndodhen në faza të ndryshme të zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, veçanërisht në administratën publike.

Përgjigjet e institucioneve shtetërore, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se shumica nuk kanë rregulla të qarta nëse nëpunësit publikë lejohen të përdorin mjete të inteligjencës artificiale, si ChatGPT, Copilot apo Gemini, gjatë kryerjes së punës së tyre.

Po ashtu, shumica e institucioneve nuk mbajnë evidencë se sa dhe si përdoren këto mjete.

Në disa raste mungojnë edhe masat teknike që do të parandalonin futjen e dokumenteve zyrtare ose të të dhënave personale të qytetarëve në platformat e inteligjencës artificiale.

Disa institucione e pranojnë se punonjësit e tyre e përdorin inteligjencën artificiale për të hartuar dokumente, për të përkthyer tekste, për të korrigjuar shkrime, për të kryer detyra administrative, për të analizuar sasi të mëdha të të dhënave ose për të kërkuar informacione.

Të tjerat thonë se një praktikë e tillë nuk përdoret.

Por, pavarësisht kësaj, gati të gjitha pajtohen se mungon një kuadër i posaçëm ligjor për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe se rreziqet më të mëdha lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit.

Sipas tyre, përgjegjësinë për çdo keqpërdorim të dokumenteve ose të të dhënave e mban vetë personi që përdor mjetet e inteligjencës artificiale.

“Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndalohet. Është njësoj sikur dikush të më ndalonte të përdor një nga gjuhët që di. Por, ai mund të rregullohet me ligj”, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti gjyqësor i teknologjisë së informacionit në Bosnje dhe Hercegovinë, Enes Çengiq.

Ai paralajmëron se përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm me informacionin që fusin në platformat e inteligjencës artificiale, pasi, sipas tij, të dhënat e futura në këto sisteme mund të ruhen në serverë dhe, në rrethana të caktuara, të rikuperohen edhe më vonë.

Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian tashmë kanë nisur zbatimin e Aktit për Inteligjencën Artificiale (AI Act), vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende në fazën e hartimit të ligjeve, strategjive dhe udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe të përafrimit të tyre me rregullat e BE-së.

Bosnje dhe Hercegovina nuk ka ende ligj që e rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale, sidomos në institucionet shtetërore.

Një ligj i tillë, madje, nuk është hartuar as në formë drafti.

Nga përgjigjet që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga disa institucione shtetërore, rezulton se disa prej tyre kanë vërejtur se punonjësit ose nuk përdorin fare mjete të inteligjencës artificiale, ose i përdorin në masë të kufizuar.

Kur përdoren, ato shërbejnë kryesisht për hartimin e teksteve, përkthime, korrektim gjuhësor dhe detyra administrative.

 
Të gjitha institucionet që janë përgjigjur, pranojnë se Bosnje dhe Hercegovina nuk ka një kornizë të përbashkët ligjore për përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale në administratën publike.

Ato kërkojnë miratimin e rregullave të përafruara me standardet e Bashkimit Evropian.

Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës, për shembull, thotë se punonjësit mund t’i përdorin vetëm ato mjete të inteligjencës artificiale që janë miratuar nga shërbimi i teknologjisë informative i institucionit.

Këto mjete mund të përdoren për përpunim tekstesh, përkthime ose gjenerim idesh.

Punonjësve të Prokurorisë u ndalohet të fusin në sisteme publike të inteligjencës artificiale të dhëna personale të qytetarëve, të dhëna nga lëndët penale, sekrete zyrtare, drafte të akteve të papublikuara ose informacione të tjera konfidenciale.

Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës thotë se, për rreth 50 ministri dhe agjenci, aktualisht ofron rekomandime profesionale për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të mjeteve të inteligjencës artificiale, sidomos për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike.

Nga ky sekretariat theksojnë se për hartimin e kornizës së ardhshme ligjore, përgjegjëse është Ministria e Komunikimeve dhe Transportit e Bosnje dhe Hercegovinës.

Kjo ministri konfirmon për Radion Evropa e Lirë se po punon në një plan për përafrimin e rregullave me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Bosnje dhe Hercegovinës thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale në përpunimin e të dhënave, nuk është i rregulluar veçmas me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Sipas saj, rregullimi i përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale në administratën publike nuk është në kompetencën e kësaj agjencie.

Megjithatë, agjencia thekson se institucionet që përpunojnë të dhëna personale, duhet të zbatojnë masa të përshtatshme teknike dhe organizative për mbrojtjen e tyre. Ato duhet të vlerësojnë edhe rreziqet e çdo përpunimi të të dhënave, përfshirë rastet kur përdoren mjete të inteligjencës artificiale.

Shumica e kompetencave në Bosnje dhe Hercegovinë janë në nivelin e dy entiteteve, administrata e të cilave numëron rreth 28 mijë zyrtarë.

Megjithatë, as Federata e Bosnje dhe Hercegovinës, as Republika Sërpska nuk kanë rregulla të posaçme që do ta rregullonin në hollësi përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin publik.

Agjencia për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit e Republikës Sërpska konfirmon për Radion Evropa e Lirë se disa institucione tashmë përdorin mjete digjitale me elemente të inteligjencës artificiale, për analizimin e të dhënave dhe automatizimin e proceseve administrative.

Qeveria e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

Ndërsa disa institucione, si Agjencia e Prokurimit Publik e Bosnje dhe Hercegovinës, po zhvillojnë chatbotë, sektori privat - përfshirë bankat dhe zinxhirët e mëdhenj tregtarë - tashmë i përdor këto mjete.

Zakonisht, ato zhvillohen në bashkëpunim me platforma komunikimi, si Viber ose WhatsApp.

As Kosova nuk ka ligj të posaçëm që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.

Strategjia për e-qeverisje 2023-2027 parashikon përfshirjen e zgjidhjeve të avancuara digjitale - mes tyre: mjetet e inteligjencës artificiale dhe analizën e sasive të mëdha të të dhënave, si pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike.

Në praktikë, tashmë po testohen disa zgjidhje të tilla si platforma e-Kosova 2.0 dhe projektet në Administratën Tatimore të Kosovës, të cilat synojnë t’i automatizojnë proceset dhe t’u ofrojnë qytetarëve shërbime më të shpejta dhe më të personalizuara.

 
Prokuroria e Shtetit të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se punonjësit e saj nuk përdorin asnjë mjet të inteligjencës artificiale në punën hetimore, administrative apo mbështetëse.

Institucionet e Kosovës, ndërkohë, thonë se po punojnë për t’i përafruar rregullat me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjatë vitit 2026 ka nisur edhe një vlerësim i gatishmërisë së Kosovës për t’u harmonizuar me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale (AI Act) dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Krenare Sogojeva Dermaku, komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk përmban rregulla të veçanta për rastet kur të dhënat personale mund të ekspozohen ose keqpërdoren përmes mjeteve të inteligjencës artificiale.

Sipas saj, çdo keqpërdorim i të dhënave trajtohet sipas rregullave të përgjithshme të ligjit, pavarësisht nëse përfshin ose jo inteligjencën artificiale.

Ajo rikujton se Kosova është anëtare e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, ku qytetarët dhe institucionet mund të drejtohen në rast se të dhënat e tyre keqpërdoren.

Ministria e Digjitalizimit e Kosovës, Policia e Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment.

Krahasuar me Kosovën dhe Bosnje dhe Hercegovinën, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më shumë në përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.

Mali i Zi nuk e ka harmonizuar ende plotësisht legjislacionin e tij me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale, por ky proces është pjesë e detyrimeve që ky vend ka në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se po përgatit një kornizë të re ligjore për të rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale dhe për të parandaluar keqpërdorimin e saj.

Qeveria, ndërkohë, ka nisur hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale 2026-2030.

Ministria e Administratës Publike thotë për Radion Evropa e Lirë se Mali i Zi, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po harton një plan për zhvillimin e inteligjencës artificiale si pjesë e transformimit digjital të sektorit publik.

Në fushën e sigurisë kibernetike, Mali i Zi ka miratuar një ligj të ri të harmonizuar me Direktivën NIS2 të Bashkimit Evropian, e cila përcakton standarde të detyrueshme për mbrojtjen e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Po ashtu, janë krijuar qendra operative për monitorimin e infrastrukturës digjitale.

Serbia, në anën tjetër, ka nisur ta përdorë inteligjencën artificiale në disa shërbime publike, edhe pse ende nuk ka një ligj që rregullon zhvillimin dhe përdorimin e saj.

Asistentë virtualë, apo chatbotë, janë të disponueshëm në faqet e internetit të Administratës Tatimore, Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve dhe portalit e-Uprava, ku u përgjigjen pyetjeve të qytetarëve dhe i ndihmojnë ata të përdorin shërbimet elektronike.

Por, këto sisteme kanë edhe kosto.

Sipas një analize të bazës së të dhënave të prokurimit publik, të kryer nga Radio Evropa e Lirë, vetëm asistenti virtual i Administratës Tatimore i ka kushtuar shtetit rreth 196 mijë euro gjatë vitit 2026.

Asnjë prej institucioneve që i përdorin këto sisteme, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si mbrohen të dhënat personale që qytetarët mund t’i ndajnë gjatë komunikimit me chatbotët.

Aktualisht, Serbia mbështetet në Strategjinë për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale 2025-2030 dhe në Udhëzimet Etike për Zhvillimin dhe Përdorimin e Inteligjencës Artificiale, por këto dokumente nuk kanë fuqi detyruese ligjore.

Komisionari për Informim me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vlerëson se vendit i nevojitet një ligj i posaçëm për të rregulluar mbikëqyrjen e sistemeve të inteligjencës artificiale, mbrojtjen e qytetarëve dhe ndalimin e përdorimeve me rrezik ose diskriminuese.

“Për shkak se përdorimi masiv i këtyre sistemeve në Serbi ende nuk është i përhapur dhe mungon një kornizë e qartë ligjore, deri më tani nuk kemi pasur një numër të madh procedurash formale të inspektimit”, thonë nga ky institucion për Radion Evropa e Lirë.

Projektligji i posaçëm, i harmonizuar me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale, është ende në hartim, ndërsa miratimi i tij pritet deri në fund të vitit 2026.

“Projektligji është harmonizuar me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale”, thotë për Radion Evropa e Lirë Irena Gjorgjeviq nga Aleanca Kombëtare për Zhvillim Ekonomik Lokal (NALED) - organizatë që është pjesë e grupit punues për hartimin e këtij ligji.

Sipas Gjorgjeviqit, projektligji parashikon që sistemet dhe modelet e inteligjencës artificiale të klasifikohen sipas nivelit të rrezikut që paraqesin.

“Do të ketë sisteme të ndaluara, të cilat nuk do të lejohen fare në treg, sisteme me rrezik të lartë, me rrezik mesatar dhe me rrezik minimal. Ligji do të zbatohet si për zhvilluesit vendas, ashtu edhe për ata të huaj të sistemeve dhe modeleve të inteligjencës artificiale”, thotë ajo.

Ana Toskiq Cvetinoviq, nga organizata joqeveritare Partneri Srbija, paralajmëron se projektligji përmban disa përjashtime të diskutueshme.

Një prej tyre është përjashtimi i sektorit të mbrojtjes nga zbatimi i ligjit.

Ajo shton se, aktualisht, nuk ekziston një evidencë zyrtare për mjetet e inteligjencës artificiale që përdoren nga institucionet shtetërore dhe as rregullore të brendshme që përcaktojnë mënyrën e përdorimit të tyre, megjithëse, sipas saj, mjete si ChatGPT tashmë përdoren në sektorin publik.

Eksperti gjyqësor i teknologjisë së informacionit, Enes Çengiq, thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale si mjet pune është i dobishëm, sepse e përshpejton ndjeshëm punën.

Por, ai thekson se inteligjenca artificiale gabon dhe se përgjegjësia për rezultatin përfundimtar mbetet gjithmonë te njeriu që e përdor.

Për të ilustruar rrezikun e keqpërdorimit, ai sjell këtë shembull: “Është njësoj sikur dikush të shkruajë një punim doktorature për romanin Ura mbi Drin, pa e lexuar kurrë librin”.

Të këshilluara

ide

Protesta që vrau piktorin dhe prezantoi noterin e krimit

Mjaftoi një muaj marshimi i flamingove për të retushuar në shtypin botëror imazhin e politikanit artist dhe për ti mbivendosur atij portertin e njeriut që lidhi familjen e presidentit të SHBA me një trafikant kokaine

05:06 Andi Bushati

A do prodhojë protesta të njëjtat pasoja si për Vuçiçin?

Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër

09:18 Veton Surroi

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

94.07

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI