
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për keqqeverisje, korrupsion dhe varfërimin e shqiptarëve, ndërsa deklaroi se kërkesa për dorëheqjen e tij është ultimative. Berisha paralajmëroi gjithashtu se tentativat për të kërcënuar studentët dhe nxënësit nuk do të mbeten pa ndëshkuar.
I pyetur nga gazetarët për deklaratën e Ramës për Reuters se nuk do të largohet nga detyra dhe për rrezikun e destabilitetit, Berisha u shpreh se kryeministri i ka humbur betejat dhe e paralajmëroi të mos përdorë policinë si “mish për top”. Në përfundim, ai u bëri thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit që nuk janë të përfshirë në krim dhe drogë, të japin dorëheqjen, ndërsa kërkoi nga policia në qarqe që të mos ndërhyjë ndaj studentëve protestues.
"Në një situatë të tillë, u garantoj se Edi Rama ka të humbur çdo betejë. Por Edi Rama ka trashëgiminë e nxirë të xhelatëve Kristaq Rama dhe Spiro Koleka, daja i tij, që në vitin 1990, në 11 dhjetor në plenumin që u organizua për qëndrimin që do mbahej ndaj studentëve, bënte thirrje për futjen e tankeve, mitralozave dhe ushtrisë. Ka këtë trashëgimi Edi Rama. Ndaj dhe të bëjë zgjidhjen më mirë. E pa mbrëmë se kush ishin luanët e sheshbetejës. E pa!
Mos të përdorë policinë si mish për top. U bëj thirrje anëtarëve të Policisë së Shtetit që nuk janë të përlyer me drogë dhe krim të japin dorëheqjen. Në të gjitha qytetet e mëdha të vendit janë protestat studentore. U bëj thirrje qytetarëve dhe bizneseve t’i mbështesin ato fuqishëm. I bëj thirrje policisë në ato qarqe, të mos guxojë të prekë studentët. Forca e tyre është e jashtëzakonshme pastaj," tha Berisha.