Ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare Erich von Daniken, autori zviceran i librave “best seller” dhe një arkeologu i vetëshpallur "heretik". Ai pretendonte se një qytetërim i përparuar jashtëtokësor vizitoi Tokën mijëra vjet më parë.
“New York Times” shkruan se von Daniken u bë i famshëm në botë në vitin 1968 me botimin e librit "Qerret e Perëndive", një vepër që do të përcaktonte si karrierën e tij ashtu edhe një zhanër të tërë.
I shkruar për t'u lexuar... pa frymë fare, plot me pasthirrma dhe ndërthurje folklorike, libri argumentonte se pothuajse të gjitha njohuritë, teknologjia dhe aftësitë njerëzore nuk ishin produkt i evolucionit njerëzor, por dhuratë e vizitorëve jashtëtokësorë .
Ndër të tjera, Von Daniken shkruan se alienët kishin vizituar fiset Maja dhe egjiptianët e lashtë dhe ua kishin transmetuar atyre njohuritë e tyre, falë të cilave ata ishin në gjendje të ndërtonin piramidat.
Në atë kohë, autori ishte 32 vjeç dhe drejtonte një hotel në Davos. Libri pati një sukses të menjëhershëm, duke shitur qindra mijëra kopje dhe më pas dhjetëra miliona në të gjithë botën. Me pak prova dhe shumë aludime, ai pohoi se monumente si Piramidat e Mëdha të Egjiptit nuk mund të ishin ndërtuar pa ekspertizën e jashtëtokësorëve, madje duke përmendur "koincidenca" numerike midis dimensioneve të tyre dhe distancës midis Tokës dhe Diellit.
Ai argumentoi se kulti i njeriut-zog në Ishullin e Pashkëve u krijua për të nderuar qeniet më të larta që zbritën nga qielli. Një shtyllë hekuri në një tempull në Delhi, e cila nuk u ndryshk, u konsiderua prej tij si produkt i një aliazh jashtëtokësor. Vijat Nazca në Peru, të dukshme vetëm nga ajri, u përshkruan si pista uljeje për anije kozmike, ndërsa përshkrimet në një sarkofag të Majave u interpretuan jo si skena mitologjike, por si astronautë që drejtonin anije kozmike.
Kritikët e tij ishin të pamëshirshëm. Antropologët e quajtën librin "një parodi shtrembëruese të arsyetimit shkencor, bazuar në citate selektive dhe injorancë".
Astrofizikani i famshëm Carl Sagan komentoi se von Däniken u atribuoi alienëve gjithçka që nuk kuptonte dhe për shkak se nuk kuptonte pothuajse asgjë, ai pa prova të një pranie jashtëtokësore kudo. New York Times e përshkroi librin e tij në atë kohë si një përzierje kaotike faktesh, spekulimesh dhe pyetjesh retorike, të cilat e lënë lexuesin "të çorientuar mendërisht".
Megjithatë, për një pjesë të madhe të publikut, teoritë e tij patën një ndikim të madh. Duke ripërcaktuar tekste të lashta si Mahabharata, Epi i Gilgameshit dhe Bibla (sipas tij profeti Ezekiel nuk pa vizione hyjnore, por anije kozmike) autori zviceran dukej se bashkonte fenë, mitologjinë dhe shkencën në një rrëfim të ri.
Librat e tij gjetën terren pjellor në një audiencë të gatshme të vinte në pikëpyetje idenë se njerëzimi ishte unik në univers. Brenda pak vitesh, von Däniken ishte bërë një profet i Epokës së Re. Në vitin 1973, një dokumentar televiziv bazuar në punën e tij çoi në shitje prej më shumë se 250 000 kopjesh në dy ditë.
Gjatë dekadave në vijim, ai botoi më shumë se 40 libra, të përkthyer në rreth 30 gjuhë, me shitje totale që tejkalonin 70 milionë kopje. Ai udhëtoi pa pushim, duke vizituar vende arkeologjike në të gjithë botën dhe duke dhënë leksione, ndërsa idetë e tij depërtuan thellë në kulturën popullore, duke ndikuar në libra komikë, prodhime filmash dhe seriale televizive.
Në vitin 2003, ai hapi “Mystery Park”, një park tematik kushtuar teorive të tij pranë Interlakenit në Zvicër, i cili më vonë u riemërua “JungfrauPark”.
I lindur më 14 prill 1935 në Zofingen të Zvicrës, ai vinte nga një familje e klasës punëtore. Në moshën 17 vjeç, ai la shkollën dhe ndoqi një karrierë në industrinë e hotelerisë. Ekspozimi i tij ndaj teksteve biblike në rininë e tij pati një ndikim vendimtar në të menduarit e tij.
Në vitin 1970, ai u dënua nga një gjykatë zvicerane për mashtrim, falsifikim dhe përvetësim, akuza që lidheshin me falsifikimin e të dhënave financiare në hotelet që ai drejtonte. Ai shkroi librin e tij të dytë në burg, duke hedhur poshtë akuzat se historia e tij kriminale vërtetoi qëllimin për të mashtruar.
Ai mbeti aktiv deri në pleqëri, duke refuzuar të dilte në pension dhe duke gjetur popullaritet përmes serialit televiziv "Alienët e Lashtë". Në një shkrim për 50-vjetorin e librit "Qerret e Perëndive", ai këmbënguli se alienët jo vetëm që e kishin vizituar Tokën në të kaluarën, por edhe kishin premtuar të ktheheshin, një besim që e ruajti deri në fund të jetës së tij. ©LAPSI.al