Flash

Euro “fundoset” më tej, arrin nivelin e 97.3 lekëve

Lapsi.al 5 August 2025
Euro “fundoset” më tej, arrin nivelin e 97.3 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros po vijon rënien në ditët e para të muajit gusht dhe ka prekur rekorde të reja historike. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 97.3 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë, gjatë fundjavës, këmbimet në tregun valutor kishin shënuar madje vlera edhe më të ulëta. Kursi mesatar në pikat e këmbimit valutor zbriti poshtë nivelit të 97 lekëve, por megjithatë vlera e fundjavës nuk reflektohen në kursin zyrtar të këmbimit, që publikohet vetëm ditët e punës.

Agjentët mendojnë se piku i sezonit turistik edhe këtë po sjell prurje të mëdha valutore, veçanërisht gjatë fundjavave, duke forcuar presionet rënëse mbi kursin e këmbimit euro-lek. Këto prurje vazhdojnë të jenë të mëdha, pavarësisht se anketimet e operatorëve tregojnë një numër pushuesish më të ulët krahasuar me vitin e kaluar. Në javët e fundit, as ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk po mjaftojnë për ta shmangur rënien e mëtejshme të kursit.

Banka Qendrore edhe këtë vit po realizon blerje të drejtpërdrejta periodike për të ulur sasinë e valutës në treg. Shifrat e blerjeve në tregun valutor publikohen me një tremujor vonesë dhe për momentin nuk ka një informacion lidhur me volumin e valutës që po tërheq Banka e Shqipërisë nga tregu. Në periudhën korrik-gusht të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë pati blerë 176 milionë euro, blerje që mjaftuan vetëm për ta mbajtur kursin pak më lart kufirit të 98 lekëve.

Për tremujorin e parë të vitit, statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se deficiti i llogarisë korrente ra në vlerën e 212 milionë eurove, 41% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tkurrja e deficitit të jashtëm në tremujorin e parë erdhi paralelisht nga rënia e deficitit në mallra dhe zgjerimi i mëtejshëm i suficitit në shërbime. Kontributin kryesor në llogarinë e shërbimeve e dha përsëri turizmi, që solli të ardhura neto në vlerën e 295 milionë eurove, në rritje me 10.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Përveç efektit të zakonshëm sezonal, të lidhur me pushimet verore, flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare ngelen të larta edhe nga investimet e huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme. Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme shprehen se blerjet nga subjektet nga jashtë vendit vazhdojnë të jenë të larta, veçanërisht në zonat bregdetare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja në pasuri të paluajtshme po rriten edhe këtë vit. Për tremujorin e parë, ato arritën vlerën e 104 milionë eurove, 24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, edhe politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e karakterizuar nga suficite buxhetore, vlerësohet se po vazhdon të luajë një rol shtesë në forcimin e monedhës vendase. Të dhënat e Ministrisë së Financave treguan se buxheti e mbylli 6-mujorin 2025 me suficit në shumën e 33.1 miliardë lekëve, në rënie sidoqoftë me 36% krahasuar me suficitin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

Të këshilluara

Një vatër zjarri në Peqin

Një vatër zjarri është shënuar sot në zonën e Grykshit, pjesë e bashkisë Peqin. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe me bimësi të dendur, duke rrezikuar përhap...

17:02

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI