Seksioni i imigracionit në gjykatën e Romës ka referuar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë çështjen e emigrantëve që duhet të mbaheshin në Gjadër në vendin tonë. Këtë të hënë ajo ka pezulluar ndalimin e tyre në Shqipëri duke kërkuar dërgimin e tyre të menjëhershëm në Itali. Pas këtij vendimi 7 emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi janë nisur drejt Barit ku do të lirohen deri në dhënien e një vendimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Gjyqtarët u bazuan në një vendim që kishte dhënë më herët gjykata e Katanias, e cila gjithashtu iu drejtua BE-së për të përcaktuar qartë rolin që ka një gjykatë në raste të juridiksionit jashtë vendit. Gjyqtarët kërkojnë të përcaktohet nëse është i vlefshëm dëbimi automatik për emigrantët që vijnë nga vendet e konsideruara “të sigurta” apo kërkesa e çdo emigranti duhet të përcaktohet rast pas rasti.
“Duhet theksuar se kriteret për përcaktimin e një shteti si “vend i sigurt origjine” përcaktohen nga ligjet e Bashkimit Europian. Prandaj, pa paragjykuar prerogativat e ligjvënësit italian, gjyqtari ka për detyrë të verifikojë gjithmonë dhe konkretisht, si në çdo sektor tjetër të sistemit juridik, zbatimin e drejtë të ligjit të Unionit, i cili mbizotëron mbi të drejtën kombëtare kur është i papajtueshëm, siç parashikohet edhe nga Kushtetuta italiane” – thuhet në vendimin e gjykatës së Romës.
Gazeta “La Repubblica” e konsideron vendimin “një tjetër ndalesë për eksperimentin në Shqipëri”. “Një frenim i ri për projektin e Shqipërisë, i cili deri më tani i ka kushtuar shtetit mijëra euro me qendrat bosh, edhe pse ato janë funksionale prej saktësisht një muaji”.
E përditshmja italiane shkruan se brenda 14 ditëve, 7 emigrantët e ndihmuar nga avokatët e tyre do të apelojnë sërish mbajtjen në kampin e Gjadrit. “Ndryshe nga objekti shqiptar qendrat italiane janë të hapura edhe emigrantët mund të largohen lirisht gjatë orëve të ditës dhe madje mund të mungojnë për periudha më të gjata” – thuhet në shkrim.
“Çfarë do të bëjë tani qeveria italiane? Misioni në Shqipëri po i shërben më pak si propagandë. Sipas asaj që kuptojmë, Ministria e Brendshme italiane do të dalë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për të mbrojtur çështjen kundër vendimeve të gjyqtarëve italiane” – shkruan “La Repubblica”.
Edhe për emigrantët e grupit të parë prej 12 personash të transferuar me anijen “Libra” gjykata pranoiapelin për të paktën 4 prej tyre duke u shprehur se për dëbimin e tyre duhet të shprehet një herë Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
“Një tjetër anomali me shpenzime të çmendura për ato qendra paraburgimi. Mbi 1 milion euro janë shpenzuar për 22 dhomat për mbajtjen elektronike të seancave gjyqësore. Dhe megjithatë video incizimet nuk janë aty” – citon gazeta italiane.
Edhe TG Com shkruan se “edhe një herë qendrat e pritjes të kërkuara nga qeveria “Meloni” në Shqipëri po zbrazen sipas protokollit mes Romës dhe Tiranës. Pak javë më parë ishte radha e 12 emigrantëve që kaluan përtej Adriatikut dhe më pas u kthyen në Itali pas vendimit të gjykatës së Romës”.
"Corriere Della Sera" citon sjell edhe reagimet e menjëhershme të politikës italiane pas këtij vendimi. Përfaqësuesit e mazhorancës kanë hedhur akuza të forta ndaj gjyqësorit. Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i jashtëm Antonio Tajani u shpreh se "disa magjistratë po vendosin vijën politike të qeverisë. Në demokraci ka një ndarje pushtetesh trepalëshe. Kur një nga këto pushtete kalon kufijtë e tij, e vë demokracinë në vështirësi” - tha Tajani.
Sipas tij, "janë disa magjistratë që përpiqen t'i imponojnë qeverisë linjën e tyre politike. Kjo nuk është e pranueshme. Unë respektoj të gjitha vendimet e gjyqësorit, nuk përfshihem në polemika dhe nuk ofendoj askënd. Thjesht po them se kjo është një zgjedhje që bie ndesh me ndarjen trepalëshe të pushteteve. Nuk është një gjykatës ai që vendos se cili vend është “i sigurt”, sepse ai nuk e di nëse qeveria që ka mjetet për ta bërë këtë” – tha ai.
Ndërsa zëvendëskryeministri dhe kreu i partisë “Lega”, Matteo Salvini e konsideroi “një tjetër dënim politik jo kundër qeverisë, por kundër italianëve dhe sigurisë së tyre. Qeveria dhe Parlamenti kanë të drejtën për të reaguar për të mbrojtur qytetarët, dhe ata do ta bëjnë, përveç nëse ndonjë gjyqtar tjetër, ndërkohë, më dënon me 6 vjet burg për mbrojtjen e kufijve...” – shkroi ai.
“Caku është kaluar”, - shpreh anëtari i Lega Nord, Claudio Borghi që shton: “herën tjetër në vend që t'i çojmë në Shqipëri, do t'i çojmë në shtëpinë e atij gjyqtari”.
Ndërsa opozita nuk ka humbur menjëherë rastin të akuzojë qeverinë. “Ne e kishim të lehtë të parashikonim. Në këtë pikë, qeveria ka detyrimin të ndalojë depërtimet. Nuk mund dhe nuk duhet të ketë një mision të tretë në Shqipëri përpara vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së për vendet e sigurta” – thotë Riccardo Magi i partisë “+Europa”.
Senatori i PD, Filippo Sensi shkruan: “Paaftësi, paaftësi, shpërdorim, kotësi. Është vërtet e pabesueshme”. “Ne i paralajmëruam – shton Nicola Fratoianni nga Avs: “Jemi përballë një filmi që e kemi parë tashmë”. ©Përgatiti LAPSI.al