Flash

Trump kthehet për të bërë fushatë në vendin ku iu bë atentat

Lapsi.al 6 October 2024
Trump kthehet për të bërë fushatë në vendin ku iu

Donald Trump u kthye të shtunën në Butler të Pensilvanisë ku i shpëtoi një atentati në korrik, duke mbajtur një tubim të madh përpara një turme masive, në një nga shtetet që pritet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.

Fjalët e para të ish-presidentit dhe kandidatit republikan ishin “siç po thoja”, për të krijuar përshtypjen se po vazhdonte aty ku ishte ndërprerë më 13 korrik, kur një person i armatosur u përpoq ta vriste dhe e goditi në vesh.

Ekipi i fushatës të zotit Trump kishte bërë përpjekjet maksimale për ta vënë theksin tek simbolika e kthimit të ish-presidentit në Butler, në mkë moment kritik kur kanë mbetur vetëm 30 ditë para ditë së zgjedhjeve dhe ndërkohë votimet e hershme janë hapur në disa shtete në garën mes tij dhe rivales demokrate, Nënpresidentes Kamala Harris.

Në tubim ishte i pranishëm edhe miliarderi Elon Musk, i cili foli për herë të parë në një aktivitet fushate të zotit Trump. "Ne kemi luftuar së bashku. Ne kemi qëndruar së bashku. Kemi ecur përpara së bashku," tha zoti Trump. "Dhe pikërisht këtu në Pensilvani, ne u gjakosëm së bashku. Derdhëm gjak", tha ai.

Ish-Presidentit Trump i duhet të rrisë pjesëmarrjen e votuesve në bastionet konservatore si qarku Butler, një komunitet kryesisht i bardhë, rural dhe periferik, për të shtuar gjasat për fitore në shtetin e Pensilvanisë në nëntor.

Edhe demokratja Harris ka bërë fushatë intensive në Pensilvani, si pjesë përpjekjeve për të bërë për vete shtetet vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve.

Duke qëndruar pas xhamit mbrojtës që tani përdoret kur ai mban tubime fushate në ambjente të hapura, zoti Trump e quajti "një përbindësh të tmerrshëm" dhe tha se ai nuk ia doli falë "dorës së fatit dhe hirit të Zotit".

Masat shtesë të sigurisë ishin të dukshme, me forca të armatosura të rendit të veshur me uniforma kamuflazhi në çati.

Një nga të ftuarit më të shumëpritur të tubimit ishte zoti Musk, i cili e prezantoi zotin Trump duke thënë se ai kishte "shpëtuar fjalën e lirë".

"Presidenti Trump duhet të fitojë për të mbrojtur Kushtetutën. Ai duhet të fitojë për të ruajtur demokracinë në Amerikë", tha zoti Musk, i cili shprehu mbështetjen e tij për kandidaturën e ish-presidentit pas atentatit.

Më herët të shtunën, kandidati republikan për nënpresident, senatori nga Ohajos, JD Vance, u ngjit në skenë dhe reflektoi mbi ngjarjet e asaj dite, ndërsa kritikoi demokratët se e kanë quajtur zotin Trump "një kërcënim për demokracinë", duke thënë se kjo lloj gjuhe është "provokuese".

"I dëgjuat të shtënat. E patë gjakun. Të gjithë kishim frikë se mund të ndodhte më e keqja. Por ju e dinit se gjithçka do të ishte në rregull kur Presidenti Trump ngriti grushtin lart në ajër dhe bërtiti: "Luftoni, luftoni!", tha zoti Vance. "Ajo që ndodhi ishte një mrekulli e vërtetë."

Kamala Harris viziton Karolinën e Veriut

Ndërkohë kandidatja demokrate Kamala Harris vizitoi të shtunën Karolinën e Veriut, një tjetër shtet kritik, dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme federale për pasojat uraganit Helene që ka shkaktuar pasoja shkatërrimtare në këtë zonë fatkeqësie natyrore.

Nënpresidentja ishte në Charlotte një ditë pas një vizite në Karolinën e Veriut nga zoti Trump, i cili ka akuzuar qeverinë federale për masa të pamjaftueshme në përgjigjen ndaj katastrofës.

Zonja Harris premtoi se ndihma federale do të vazhdojë pa ndërprerje.

Më herët gjatë javës, ajo vizitoi Xhorxhian, ku ndihmoi në shpërndarjen e ushqimeve, vizitoi zonat e dëmtuara dhe ngushëlloi familjet e goditura rëndë nga stuhia. Mbi 200 vetë kanë humbur jetën nga uragani Helene.

Kandidati për nënpresident Tim Walz po bën fushatë në shtetin e tij të Minesotës.

Kandidatja demokrate planifikon disa intervista me mediat këtë javë, një gjë që nuk e ka bërë shpesh, dhe do ta vërë theksin tek mobilizimi për pjesëmarrje në zgjedhje. /VOA

Të këshilluara

Rama shton një ministri të re

Qeveria shqiptare po propozon një projektligj mbi riorganizimin e sistemit shkencor, ku institucionet vlerësuese të veprimtarisë shkencore do të jenë një Minist...

14:31

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI