Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje ka tashmë një drejtues të ri. Pas ikjes së Eridana Çanos në krye të SASPAC, në vend të saj është emëruar Jona Suli. 33-vjeçarja ishte deri në ditët e fundit të korrikut në krye të SASPAC dhe u shkarkua prej Ramës për performancë të keqe afro 7 muaj pas emërimit përmes një procesi fasadë.
Pavarësisht performancës së saj, Rama i dha si shpërblim drejtimin e Bashkëqeverisjes, një mekanizimi që sot ka humbur vlerën edhe si element propagande për Rilindjen, jo më të shërbejë si strukturë për t’u zgjidhur problemet njerëzve. Rrokadën Çano-Suli e paralajmëroi Lapsi.al prej ditëve të fundit të muajit korrik.
Pra, dy drejtoreshat ndërruan vendet e punës dhe për ta bërë më qesharake situatën, prezantuan njëra-tjetrën në institucionet që do të drejtojnë. Eridana Çano që drejtonte Bashkëqeverisjen shkoi te SASPAC ku ishte Jona Suli. Kjo e fundit shkoi te Bashkëqeverisja ku ishte Eridana Çano.
Kujtojmë që SASPAC është agjencia famëkeqe e abuzimit me fondet e BE, për të cilën sot Ilir Beqja është prapa hekurave. Pas shkarkimit të tij, për të pasur ende kontroll në SASPAC, Beqja katapultoi aty ish-sekretaren e paradhomës së Mirela Kumbaros. Mbi emërimin e Sulit si njeriu i tyre në agjencinë që menaxhonte milionat e BE, SPAK ka administruar në dosjen penale komunikime telefonike mes Ilir Beqajt dhe Mirela Kumbaros. E po kështu ka dyshime edhe për abuzim me fondet disa qindra mijëra euro së paku në një event të madh të organizuar për turizmin në Tiranë. ©LAPSI.al