Ish-sulmuesi rumun Florin Raducioiu luajti në Itali në fillim të viteve '90. Ai veshi fanellat e Barit, Veronës, Brescias dhe Milan, ku megjithatë nuk la gjurmë. Megjithatë, deklaratat e tij në lidhje me dopingun të publikuara nga As po shkaktojnë diskutime në Spanjë.
Me vdekjen e parakohshme të Gianluca Vialli dhe Sinisa Mihajlovic, të dy nga sëmundje të rënda, u fol me këmbëngulje për përdorimin e substancave dopuese në futbollin italian midis viteve 80 dhe 90, si shkaktarë të mundshëm të këtyre sëmundjeve. Pak muaj më parë në emisionin Le Iene, ish-mbrojtësi Massimo Brambati kishte bërë deklarata tronditëse. Të njëjtën gjë e bëri edhe Dino Baggio, që i bëjnë jehonë asaj që Zeman ka denoncuar prej vitesh. Listës së akuzuesve i është shtuar edhe ish-sulmuesi rumun Florin Raducioiu, i cili ka dhënë një intervistë për As që po bën shumë polemika.
“Me kaq shumë vdekje të parakohshme, si ajo e Vialli, Dino Baggio u frikësua – deklaroi Raducioiu –. Ajo që mund të them është se te Brescia çdo ndeshje na bënin injeksione të një lëngu të kuq, që dukej si gjak. Unë fola me mjekun dhe ai tha se ishte një vitaminë që e bënte muskulin të mos lodhej lehtë”.
PILULAT TE MILAN
Raducioiu shpjegon se në të gjithë ekipet e Serie A përdoreshin ilaçe të çuditshme: “Ishte normale të merrja një gjë të tillë. Te Milan më kujtohet që kemi marrë edhe pilula”. Kur u pyet nëse ishin bërë kontrolle dopingu, ai u përgjigj: “Po, kemi bërë analizat e urinës. Të gjitha këto pyetje lindin nga vdekja e Vialli dhe lojtarëve të tjerë. Kjo i bëri ata të fillonin të bënin pyetje për atë që na dhanë atëherë. Ndoshta ka qenë vetëm një fatalitet, ose ndoshta proceset që rrjedhin nga ato produkte janë përshpejtuar. Unë jam 53 vjeç dhe jam mirë”. Një abuzim tërësisht italian: “Nëse ndodhte edhe në vende të tjera? Jo, diku tjetër të jepnin ilaçe vetëm për gripin”.