Flash

BE mbetet e përçarë/ Dështon sërish të ndalë importin e naftës dhe gazit rus

Lapsi.al 29 May 2022
BE mbetet e përçarë/ Dështon sërish të

Negociatorët e Bashkimit Evropian kanë dështuar që të arrijnë marrëveshje mbi embargon ndaj naftës ruse, por do të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një pajtim para nisjes së samitit të BE-së më 30 maj, tha një zyrtar i bllokut.

Shtetet e BE-së po diskutojnë për një propozim, sipas të cilit, shtetet anëtare do të pranonin të vendosnin ndalesë për furnizimet me naftën ruse që vijnë përmes detit për në BE, deri në fund të vitit.

Përjashtime do t’iu mundësoheshin disa shteteve – Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke – që të pranojnë naftë përmes tubacionit rus Druzhba, që është i gjatë 4,000 kilometra.

Bloomberg, duke cituar burime që kanë njohuri me negociatat që janë zhvilluar, raportoi se Hungaria po refuzon që të arrijë kompromis.

Kjo media tha se Budapesti më herët kishte sugjeruar se do të mbështeste përjashtimin, që do të lejonte pranimin e dërgesave të naftës përmes tubacionit rus. Por, tha se Budapesti tani po kërkon koncesione të mëtejme.

Më 2021, Rusia ka dërguar afër 720,000 fuçi në ditë të naftës së papërpunuar në rafineritë evropiane përmes tubacionit të saj kryesor në rajon, krahasuar me 1.57 milion fuçi në ditë përmes dërgesave me anije në portet e Baltikut, Detit të Zi dhe Arktik.

Shumica e dërgesave përmes tubacioneve shkojnë në Gjermani dhe Poloni, por këto dy shtete kanë lënë të kuptohet se do të tentojnë të ulin varësinë e tyre nga furnizimet ruse pavarësisht çdo veprimi që mund të ndërmarrë BE-ja.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, tha më 29 maj se ishte i shqetësuar se uniteti i BE-së “ka filluar të rrënohet”, teksa blloku përgatitet që të takohet për të diskutuar për embargon ndaj naftës dhe përpjekjeve të tjera që kanë për qëllim të ulin varësinë nga energjia ruse.

Liderët e BE-së do të takohen më 30-31 maj për të diskutuar për sanksionet e reja të mundshme kundër Moskës, përfshirë edhe embargon ndaj naftës, për të ndëshkuar Rusinë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

“Pas sulmit rus në Ukrainë, ne pamë se çfarë ndodh kur Evropa qëndron e bashkuar. Teksa samiti po afrohet, le të shpresojmë që ky unitet të vazhdojë. Por, uniteti veçse ka filluar të rrënohet sërish”, tha Habeck gjatë një konference për media. /REL

Të këshilluara

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

92.03

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI