Deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli ka folur për zgjedhjen e presidentit të ri, ku edhe emri i saj është lakuar shpesh në media, për të qenë kryetarja e re e shtetit.
E pyetur në studion e ABC se si ndihet kur dëgjon se emri i saj lakohet për të qenë numri “një” i shtetit dhe a e beson realisht, Kodheli tha se kjo është diçka që i përkëdhel sedrën, por nga ana tjetër të jep dhe shumë përgjegjësi.
“Ndihem e vlerësuar jashtë mase. Vetëm ideja që të del emri për pozicionin më të lartë shtetëror ta përkëdhel sedrën, por nga ana tjetër të jep përgjegjësi.
Sfidë? Jo nuk besoj, unë sfidat e mia i kam fituar në jetë. Nuk më shkon në mendje që do përzgjidhem unë. Madje mundohem ta largoj nga mendja këtë gjë.
Besoj se duhet marrë me sportivitet, besoj se në këtë rast jam shumë me këmbë në tokë. Nuk kam ngazëllime as evidente që të jetë një gjë e tillë. Ai duhet të jetë një proces transparent” – tha Kodheli që nuk pranoi të bëjë publike 3 emrat e propozuar prej saj në zarfin e mbyllur në Grupin Parlamentar.
“Jo nuk besoj se është ky rasti. Por emrat që kam zgjedhur janë brenda radhëve të politikës. Unë besoj se presidenti duhet të jetë njeri politik” – tha deputetja e PS. ©LAPSI.al