Flash

Qeveria "shet" Butrintin tek një fondacion

Lapsi.al 6 April 2022
Qeveria "shet" Butrintin tek një fondacion

Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Marrëveshja pritet të kalojë në parlament për t'u miratuar.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shkruante në rrjetin social Facebook se “së bashku me partnerin strategjik, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ministria kishte themeluar fondacionin e posaçëm të menaxhimit të Butrintit”.

“Ka pasur shumë debate, pikëpyetje, keqinformime, por gjej rastin të qetësoj këdo në lidhje me pronësinë e Butrintit, se në çdo rast, pronësia e territorit dhe aseteve i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit” tha zonja Margariti.

Sipas Ministres së Kulturës Margariti marrëveshja parashikon që Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes.

Sipas zonjës Margariti kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

Një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0,5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimsië kulturore në Shqipëri.

Marrëveshja e miratuar të mërkurën nga qeveria shqiptare mbështetet në Planin e Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit 2020 - 2030, një dokument prej 300 faqesh, hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.

Studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare ngritën shqetësime gushtin e vitit 2020 kur u prezantua Plani i menaxhimit të Butrintit për një formë të tillë menaxhimi përmes fondacioneve jo-shtetërore.

Arkeologu i njohur Neritan Ceka tha se Plani i Menaxhimit nuk kishte në ekipin e tij asnjë arkeolog shqiptar.

Ndërsa studiuesi Agron Alibali, tha se Shqipëria ishte në shkelje të Konventës së Parisit, e cila përcakton rolin e padiskutueshëm parësor të shteteve anëtare, të njohura si “Shtete Palë”, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre.

Në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 ha në 8.622,2 ha në kuadër të shqyrtimit të kufijve të disa parqeve natyrore dhe kombëtare në vend.

Sipas hartës së bashkëngjitur vendimit të qeverisë për Butrintin një sipërfaqe prej rreth 800 ha nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike./ VOA

Të këshilluara

Emërohet prefekti i ri i qarkut Durrës

Roland Nasto, prefekt i Qarkut të Durrësit, është liruar nga detyra. Këshilli i Ministrave vendosi që në vend të tij të jetë Emiljan Jani. Ky vendim do të hy...

17:43

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.68

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI