Modelet e njohura ruse kanë nisur një lojë virale në rrjetet sociale pavarësisht luftës dhe viktimave në Ukrainë. Daily Mail shkruan se ato po protestojnë kundër markës së njohur si Chanel, që nuk i lejon më të blejnë aksesorët e tyre. Në këtë situatë modelet akuzojnë kompaninë për rusofobi pas largimit të Chanel nga vendi i tyre.
Kompania i ka ftuar klientët të bëjnë pazar vetëm në dyqanet jashtë vendit, por me zotimin se nuk do të mbajnë ose shfaqin produktet e tyre në Rusi. Por modelet e pasura ruse nuk duan t’ia dinë as për të vdekurit dhe as për sanksionet.
Aktorja dhe prezantuesja televizive Marina Ermoshkina, 28 vjeçe, shprehu zemërimin e saj përballë 400 mijë ndjekësve të saj në Instagram duke prerë pa mëshirë çantën e saj luksoze në një video direkte.
“Asnjë objekt ose firmë nuk vlen sa dashuria ime për atdheun ose respekti për veten time. Unë jam kundër rusofobisë dhe kundër firmave që ushqejnë rusofobinë. Të merrem me Chanel është si të shes atdheun tim. Kisha ëndërruar ta blija këtë çantë që kur isha e vogël”, - thotë aktorja duke e prerë çantën me gërshërë.
Ndërsa DJ Katya Guseva, 39 vjeçe u thotë 600 mijë ndjekësit e saj: “Unë i them jo Chanel. Ata më kërkojnë të nënshkruaj një dokument poshtërues, duke kërkuar të refuzoj atdheun tim në favor të markës së tyre. Jam kundër rusofobisë dhe diskriminimit prej kombësisë. Për t’ju treguar se e kam seriozisht ja ku po e pres me gërshërë çantën. Bye-bye, Chanel”, - thotë ajo.
Modelja e biznesmenia ruse që qëndron në Monaco, Victoria Bonya, 42 vjeçe, me 9 milion ndjekës komentoi në anglisht: “Nëse Chanel House nuk respekton klientët e saj, përse duhet që unë të respektoj Chanel? Bye bye.”
Komentuesit rusë shprehnin zhgënjim ndaj sjelljes dhe hashtagut #ByeByeChanel. Më herët zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova akuzoi Chanel se i ishte bashkuar “fushatës rusofobe për fshirjen e Rusisë”. ©LAPSI.al












