Vijon dëshmia e Edi Ramës në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. I pyetur për rolin e Erion Veliajt në inceneratorin e Tiranës, Rama tha se kryetari i bashkisë është një autoritet i zgjedhur dhe nuk angazhon fonde, por angazhon bashkinë.
Tabaku: Kemi pasur raste të ngjashme për tejkalim kompetencash si në Tiranë, ashtu edhe në Fier e Elbasan. Buxheti i shtetit është ekspozuar ndaj këtyre kontratave që shkojnë deri në 430 milionë euro.
Rama: Nëse do të gërmoni në bashkinë e Tiranës, do të gjeni shkresa të kohës tuaj, por me siguri edhe të miat, ku një grup vjen dhe shpreh interes. Kryetari i bashkisë është një autoritet i zgjedhur dhe nuk angazhon fonde, por bashkinë. Mesa pashë atë ndërveprimin tuaj dje, dhe kryetari i bashkisë nuk ka marrë veprim financiar, por ka shprehur opinionin e tij në parim. Nëse kryetari i bashkisë angazhon fonde pa mendimin e këshillit bashkiak, atëherë flasim, por në atë shkresë ai shpreh mendimin e tij pozitiv për ta marrë në konsideratë këtë projekt. Nëse ju më jepni shkresën ku kryetari i bashkisë angazhon fonde pa mendimin e këshillit bashkiak, jemi në një temë tjetër. Kryetari i bashkisë është autoriteti suprem sepse është zgjedhur me votën e popullit. Sigurisht që kryetari mund ta thotë se është i interesuar. Kryetari i bashkisë që çon letër dhe angazhon fonde, pa këshillin bashkiak, është në shkelje.