Presidenti Ilir Meta thotë se nuk ka asnjë problem me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. Në një intervistë në Syri Tv, Meta deklaron se i ka thënë Ramës që të mos e vendosë në këtë dikaster pasi është emocional dhe shumë militant. Sipas Kreut të Shtetit, Rama e përdorte Tahirin për të shantazhuar persona të tjerë, përmes forcës së policisë.
“Unë nuk kam pasur asnjë konflikt me Tahirin. Por i kam thënë dhe Edi Ramës, vendose ku të duash, nuk mund t’i imponohesha, por i thashë që jo Ministër të Brendshëm pasi është shumë militant, shumë emocional dhe do të futet në konflikte dhe me opozitën.
Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera edhe për një arsye tjetër. Ai pretendonte që të ishte kandidat për Bashkinë e Tiranës. Pastaj problemi që kishte Ministria e Brendshme, kanabizimi dhe ne i kemi denoncuar. Rama e përdorte për të shantazhuar persona të tjerë. Kur donte ta hiqte, në fakt kur iu kërkua ta hiqte, ma bëri sikur po më bënte një nder mua” – tha Meta.
Presidenti ka zbuluar dhe porositë që i jepte ish-ministrave që punonin me kryeministrin Rama. Sipas Metës, Rama i shtyn ata drejt një rruge të gabuar, dhe i bën koka turku.
“Nuk kam përgjegjësi për asnjë ministër apo drejtor. Unë sa herë emërohej ndonjë ministër apo drejtor, i thoja hajde këtu, a mund ta mbash si postim. I thoja ki kujdes se është me rrezik, se drejtori dhe ministri firmosin. Ligji është i pari, aq më tepër për ata që kanë punuar me Edi Ramën, pasi ai ju shtyn ju fut në një rrugë të gabuar dhe ju bën koka turku.
U kam thënë këtë gjë, problemet janë të fëmijëve tuaj nëse bëni ndonjë gjë jashtë ligjit. Kjo është forca ime si politikan. Unë prej vitesh kam thënë, jam kundër drejtësisë me regji. Kujtoni pak që të mos harrojmë shpejt, ku vajti dhe u betua anëtarja e GJK-së tek Lana.
Atë ditë doli një lajm, që Prokuroria nxori një urdhër për një kryetar bashkie që kishte problem me dekriminalizimin. U bë për fshehjen e një gjëje shumë më të rëndë si ajo e betimit të një gjyqtareje tek Lana” – tha Meta.