Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka mbetur e fundit për përcaktimin e kandidatëve me të cilët do të prezantohet në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Deri tani vetëm janë 4 bashki në të cilat degët kanë propozuar emra konkretë ndërsa në Dibër dhe Vorë ka ende pikëpyetje.
Deri tani janë konfirmuar Luan Hoti për bashkinë e Durrësit dhe Ferdinand Saraçi për Bashkinë e Rrogozhinës.
Strukturat drejtuese të PD në Shkodër propozuan të mërkurën Xhemal Bushatin si kandidat për kryetar bashkie ndërsa Indrit Sefa ka marrë pëlqimin e bazës si kandidat i PD për kryetar të bashkisë së Lushnjës. Sefa mban aktualisht postin e sekretarit për marrëdhëniet ligjore dhe procesit zgjedhor ne PD.
Mësohet se në Dibër po diskutohet mes dy emrave, Naim Gazidede i cili është kryetar i degës dhe Luan Haka që ka detyrën e Sekretarit. Në diskutime ka qenë edhe emri i ish-deputetit Xhemal Gjunkshi.
Për Bashkinë e Vorës, po diskutohet emri i Ymer Markut. Të mërkurën Lulzim Basha takoi drejtuesit dhe faktorët politike të bashkive ku do të ketë zgjedhje. Pas konsultimit dhe marrjes së vendimit me strukturat e degëve në bazë të statutit është Kryesia e PD-së që jep miratimin përfundimtar. ©LAPSI.al