Teatri Kombëtar vendosi që me rastin e festave të 28 dhe 29 nëntorit të lexojë online në Facebook pjesë nga vepra “Hijet e natës” të Vedat Kokonës dhe “Prefekti” të Besim Levonjës. Në këtë projekt u përfshinë emra të njohur aktorësh të këtij Teatri.
Ajo që ka zgjuar një reagim të fortë ka qenë vepra “Prefekti” që siç dihet ka në qendër të saj Qazim Mulletin, kryetar të bashkisë së Tiranës (1939 – 1940) dhe më pas Prefekt të Tiranës (1942 – 1944).
Në nisje të kësaj shfaqjeje regjisori Spiro Duni u përpoq që t’i jepte shfaqjes një tjetër këndvështrim. Ai tha se kjo është “një sprovë për të nënvizuar idenë e një profeti që paralajmëron se çfarë e zeze do ta gjejë Shqipërinë për shumë vite më pas”.
Në faqen e Facebook të Teatrit Kombëtar kanë qenë të shumtë replikat dhe polemikat mes atyre që e kanë konsideruar të pavend rikthimin e kësaj shfaqjeje dhe të tjerëve që e kanë përshëndetur.
Rolin e Qazim Mulletit, që përpara viteve “90 e kishte mbajtur aktori Robert Ndrenika, tani i ishte besuar Arben Derhemit.
[caption id="" align="alignnone" width="536"]
Robert Ndrenika në rolin e Qazim Mulletit[/caption]
Që prej anonçimit të kësaj ideje dhe në videon e shfaqjes në Facebook kundërshtarët e saj thonë se shfaqja “Prefekti” denigron padrejtësisht një figurë si Qazim Mulleti. Madje Shoqata “Tirona Intellectum” shkruan se është edhe më e turpshme që pjesë e këtij produksioni është një aktor nga Tirana duke iu referuar Arben Derhemit.
[caption id="" align="alignnone" width="533"]
Qazim Mulleti, Prefekt i Tiranës 1942 – 1944[/caption]
“Teatri Kombëtar njoftoi shfaqjen sot të komedisë “Prefekti”, një komedi totalisht e politizuar, produkt i sistemit komunist, që denigron ish Prefektin e Tiranës, Qazim Mulletit. Përtej çudisë, indinjatës dhe paradoksit se si mund të rikthehen në skenën e teatrit kombëtar veprat “e sukseshme” të komunizmit, vepra e Besim Levonjës (që për extrem të paradoksit në postim e quajnë dhe “kryevepër”) është një shtrembërim flagrant, malinj dhe i shëmtuar i historisë!” – thuhet ndër të tjera në reagim.
Rikthimi i veprave të realizmit socialit, apo edhe vijimi i shfaqjes së filmave të Kinostudio “Shqipëria e re” është një debat që vijon prej më shumë se 30 vitesh në vend dhe që ende nuk e ka një përgjigje se si duhet të sillemi me këtë pjesë. ©LAPSI.al

