Kryeministri Edi Rama tha se buxheti i vitit 2022 parashikon një rritje të pagave prej 30% për Forcat e Armatosura, premtim që ai tha se e mbajti pas krizës me luftën ndaj zjarreve në muajin gusht.
Teksa është prezantuar projekt-buxhti për vitin 2022 për Ministrinë e Mbrojtjes, Rama u shpreh se vitin tjetër pagat e Forcave Ushtarake do të rriten sërish.
Edi Rama: Nuk është rritja e parë e pagave që bëjmë, kjo është një rritje e konsiderueshme, dhe nëse kur u takuam me një pjesë prej jush pas përballimit të krizës së zjarreve, unë ju thashë se do të rrisim pagat, dhe sot pagat janë të shkruara me 30% rritje për buxhetin e ardhshëm. Jam këtu para jush me një zotim të mbajtur me një rritje të konsiderueshme të pagave. Vitin tjetër do i rrisim sërish pagat. Me këtë rritje pagash nuk kemi më ushtrinë më të pak paguar të vendeve të NATOS. Nuk jemi as në krye as në mes por nuk jemi as të fundit. Brenda mandatit të tretë do jemi diku në mes. Forcat e Armatosura pavarësisht se në numër janë modeste, këta rrisin me cilësi atë reputacion që sot e kanë vërtetë të mirë. Shqipëria ka një forcë ushtarake model në çdo pikëpamje.