Zyra e shtypit e Partisë Demokratike njoftoi mbrëmjen e së hënës se deputeti Flamur Noka është shkarkuar si Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë me një vendim të marrë nga kryetari Lulzim Basha. Madje ky i fundit e ka paralajmëruar me përjashtim nga grupi parlamentar.
“Sot Kryetari i PD Lulzim Basha i ka komunikuar shkarkimin nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokës, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.
Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena.
Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama” – thuhet në njoftimin e PD-së.
Çfarë tha Flamur Noka
Në mbledhjen e grupit parlamentar, deputeti i PD i kishte kërkuar kryetarit Lulzim Basha të mbajë përgjegjësi, pasi sipas tij, ai poshtëroi anëtarësinë dhe elektoratin duke e quajtur “llum”. Këtë qëndrim Noka e mbajti edhe publikisht pas mbledhjes.
“Dënoj leksikun e ulët të kryetarit të PD-së Lulzim Bashës ndaj qeverisë së PD-së, qeverisë më të suksesshme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në këto 30 vite demokraci.
Jam këtu për të dënuar edhe fyerjet, poshtërimin e radhës i cili mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar, i bëri anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’.
Askush nuk ka guxuar, as Nano, as Rama, as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum.
Askush nuk ka guxuar, as armiqtë më të egër të forcës tonë politike që të konsiderojnë bazën e PD-së e cila po mbush foltoret, e cila kërkon që kjo forcë politike të rikthehet në standardet e saj dhe statusore, që kjo forcë t’i rikthehet betejës me Edi Ramën dhe jo të rrijë në kthetrat e tij. Pra nuk ka guxuar askush ta quajë llum bazën e PD-së përveçse Basha”, - tha Noka.
“Mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së grupit unë i kërkova që të marrë përgjegjësi. Forca jonë politike është duke shkuar në zgrip falë vendimit kult të Bashës.
Dhe nëse ai e konsideronte sado pak këtë forcë, dorëheqja do ishte e vetmja zgjidhje për ta bashkuar këtë forcë politike, për ta rimëkëmbur dhe Basha konfirmoi mbrëmë se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD dhe i demokratëve në përgjithësi.
Pra, mbrëmë mbi fatin e PD-së dhe demokratëve, Basha konfirmoi fatin e karriges së tij dhe u vendos i lidhur pas asaj karrigeje”, - tha Noka. ©LAPSI.al