Duket se institucionet e reja të drejtësisë, ato që do të fusnin në burg "peshqit e mëdhenj" dhe do të dënonin krimin e organizuar apo korrupsionin, janë tulatur plotësisht dhe kanë nevojë për kurajo. Kurajo të cilën ka zgjedhur t'ja japë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim. Sot ajo ka takuar Gjyqtarët e Dhomës së Apelit Special.
Me një postim në Twitter ajo shkruan se pavarësisht presionit të fortë, ata kanë vazhduar me verifikimet, një element i rëndësishëm i reformës në drejtësi. Por këto takime të Yuri Kim sa te KPK, sa te SPAK apo te komisionet e vettingut, tregojnë në fakt se sa qesharakë janë bërë institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri. Shpresa që reforma të japë rezultatet e trumbetuara nga SHBA apo e gjithë klasa politike që votoi, po venitet dita-ditës.
“Gjyqtarët e Dhomës së Apelit Special kanë një nga përgjegjësitë më të vështira: dhënien e gjykimit përfundimtar mbi vendimet e verifikimit. Pavarësisht presionit të fortë, ata kanë vazhduar në zbatimin e këtij elementi të rëndësishëm të reformës në drejtësi”- shkruan ambasadorja Yuri Kim në Twitter.