“Në provincën afgane të Panjshir kemi ushtarë gati për të luftuar kundër talebanëve. Kemi shumë armë të magazinuara në vite duke e ditur që një ditë e tillë mund të vinte”.
Janë fjalët e Ahmad Massoud, djalit të liderit legjendar afgan Ahmad Shah Massoud që luftoi kundër talebanëve. Në një shkrim të publikuar në "Washington Post" ai thotë se “këtij grupimi i janë bashkuar edhe shumë njerëz që në 72 orët e fundit nuk janë dorëzuar. Mes tyre ka edhe pjesëtarë të ushtrisë afgane”.
Ditën që talebanët morën në dorë Kabulin, Ahmad Massoud u pa në një foto të publikuar në rrjetet sociale nga Zv.Presidenti i Parë afgan Amrullah Saleh. Pasi Presiddenti Ashraf Ghani u arratis nga vendi, Saleh e deklaroi veten kujdestarin legjitim të vendit, pikërisht nga provinca Panjshir, e konsideruar si kështjellë historike kundër talebanëve. Nga ky “xhep rezistence”, Massoud dhe Saleh po bëjnë thirrje për hakmarrje kundër talebanëve.
Duke cituar kushtetutën afgane, Saleh tha se në "mungesë, arratisje, dorëheqje ose vdekje" të presidentit, nënkryetari i parë bëhet "presidenti kujdestar". Saleh tha se ai "po u drejtohej të gjithë udhëheqësve për të siguruar mbështetjen dhe konsensusin e tyre".
Saleh, një politikan dhe ish-shef i shërbimeve sekrete afgane, u ka mbijetuar disa përpjekjeve për ta vrarë.
Panjshir ishte një provincë e rezistencës kundër talebanëve në vitet 1990. Por gati 3 dekada më vonë, rënia e shpejtë e vendit në duart e talebanëve së bashku me një proces paqeje të njohur ndërkombëtarisht e ka bërë rezistencën ndaj grupit militant islamik një mision të vështirë, nëse jo të pamundur. ©LAPSI.al