Zyrtarisht, është kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, i ashtuquajturi "Raqka" që ka marrë përsipër ftesën zhurmëmadhe për Goran Bregoviçin në festën e birrës. Por tashmë të gjithë e kanë kuptuar se pas kësaj ideje qëndron kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Jo më kot, as vetë Raqka nuk ka dalë të shpjegojë si i lindi ideja të ftojë Goran Bregoviçin në Korçë, por nxorri nënkryetaren ta konfirmojë.
Edhe vetë Rama ka heshtur. Por tema e debatit po vlon në të dy anët e kufirit të shqiptarëve. Ideja po i jep efektet e saj: zhurmë dhe përplasje. Shumëkush po ia faturon pasojat kryeministrit Edi Rama.

I ndërgjegjshëm për situatën, Rama ka surprizuar edhe një herë, kur është shfaqur i buzëqeshur, mes dy vajzave të Kosovës, dy fitueset e medaljeve të arta në xhudo në lojërat Olimpike, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi. Si për t'u distancuar nga përplasja e ideve mes shqiptarëve andej dhe këndej kufirit, kryeministri ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë, për të parë nga afër vajzat që stërviten.
Ndërkohë vetë, nuk ka thënë asnjë fjalë, nëse do të jetë në koncertin e Bregoviçit në Korçë, apo do ta bojkotojë atë?