“Edhe pse nuk ishte dita ime më e mirë, gjithsesi jam shumë e lumtur që munda të arrij deri në finale. Nuk ia dola dot. Sporti aq shumë të gëzon, por pa aq ta thyen zemrën”, deklaroi Luiza Gega menjëherë pas garës finale të 3000 metrave me pengesa në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” Luiza Gega e ka mbyllur atë në vend të 13-të garën me kohën 9:34.10, një rezultat larg pritshmërive për 32-vjeçaren, e cila vetëm disa ditë më parë kishte regjistruar kohën 9:23.85 në kualifikuese.
Mes 16 konkurrueseve, Gega doli pothuajse e fundit duke lënë pas spanjollen Robles, australianen Gregson (nuk e përfundoi garën) dhe amerikanen Koburn (u skualifikua).
Objektivi i sportistes në këtë garë ishte thyerja e rekordit kombëtar, rezultat që do ta katapultonte automatikisht në top-10, por për Luiza Gegën dje ishte një ditë jo e mirë.
Megjithatë objektivi kryesor i saj ishte kualifikimi për në finale, gjë që e realizoi me sukses, duke u bërë e para atlete shqiptare që ia del t’i kalojë kualifikueset.
