Flash

Trump kërcënon sërish Iranin me përdorim të forcës ushtarake

Lapsi.al 10 April 2025
Trump kërcënon sërish Iranin me përdorim të forcës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar përsëri se do ta përdorë forcën ushtarake, nëse Irani nuk pajtohet për t’i dhënë fund programit të vet bërthamor dhe theksoi se Izraeli do të jetë “lider” i çfarëdo sulmi të mundshëm.

Trump tha për gazetarë të mërkurën në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhe se, “nëse është e nevojshme”, Shtetet e Bashkuara do ta përdorin forcën ushtarake “patjetër”. Ai e tha këtë pasi u pyet për bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre iranianë që do të zhvillohen këtë fundjavë në Oman.

“Ne kemi kohë”, tha Trump, duke shtuar se nuk ka ndonjë afat të përcaktuar për përfundimin e bisedimeve SHBA-Iran.

“Kur nisni bisedimet, e kuptoni nëse po ecin mirë apo jo. Dhe, unë do të thosha që përfundimi do të vijë kur të mendoj se ato nuk po ecin mirë. Pra, është thjesht një ndjesi”, tha Trump.

Trump njoftoi për bisedimet më 8 prill gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Netanyahu tha se mbështet përpjekjet diplomatike të Trumpit për të arritur marrëveshje me Iranin. Ai shtoi se Izraeli dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtin synim: të sigurohen që Irani të mos zhvillojë ndonjë armë bërthamore.

Trump tha se, nëse përdorimi i forcës ushtarake bëhet i nevojshëm, “Izraeli do të jetë goxha i përfshirë, natyrisht”. Të dyja palët e kanë paraqitur takimin në Oman si takim eksplorues për të parë nëse mund të zhvillohen negociata. Trump tha se bisedimet do të jenë “të drejtpërdrejta”, ndërsa Irani i ka përshkruar ato si bisedime “të tërthorta”.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të “kërkojnë shumë” në këto bisedime, duke përsëritur qëndrimin e tij të njohur se Irani “nuk mund të ketë armë bërthamore”. Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të shqetësuara pasi Teherani duket më afër se kurrë zotërimit të një arme bërthamore. Irani ka këmbëngulur prej kohësh se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Në vitin 2015, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore arritën marrëveshje gjithëpërfshirëse bërthamore që kufizonte pasurimin e uraniumit nga Irani në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Por, Trump e tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018, duke e quajtur atë si “marrëveshjen më të keqe ndonjëherë”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shprehu shpresën se bisedimet SHBA-Iran mund të përfundojnë në mënyrë paqësore, pasi Reuters raportoi më 9 prill se deri në gjashtë bombardues B-2 ishin zhvendosur në një bazë ushtarake SHBA-Britani në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian.

Kur u pyet nëse bombarduesit B-2 ishin mesazh për Iranin, Hegseth tha: “T’ua lëmë atyre të vendosin”. Ai i përshkroi bombarduesit si “aset të shkëlqyer”, duke u thënë gazetarëve gjatë një vizite në Panama se ata dërgojnë “mesazh për të gjithë”.

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të mërkurën sanksione të reja që synojnë programin bërthamor të Iranit. Pesë entitete dhe një person me bazë në Iran u goditën me sanksione të reja në lidhje me mbështetjen e tyre të dyshuar për programin bërthamor të Iranit, tha Departamenti.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se populli iranian “është i jashtëzakonshëm”, por Qeveria është “regjim i ashpër”.

“Unë dua që Irani të jetë i madh”, tha Trump. “E vetmja gjë që nuk mund të kenë është një armë bërthamore. Ata e kuptojnë këtë”./ REL

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Me sytë katër

PAPARAZZI