Këtë të premte kancelari gjerman Olaf Scholz foli në telefon me presidentin rus Vladimir Putin për herë të parë në dy vjet. Gjatë bisedës, Scholz tha se dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë, duke i bërë thirrje Putinit që t'i japë fund asaj dhe të tërheqë trupat ruse nga territori ukrainas. Ai gjithashtu i kërkoi Moskës të angazhohet në negociata me Kievin në mënyrë që të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.
“Rusia duhet të tregojë gatishmëri për të negociuar me Ukrainën me synimin për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme" – shkroi Scholz në një postim në X pas telefonatës. Kancelari siguroi se Berlini mbetet në krah të Ukrainës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus, në vitin e tretë të saj.
Një deklaratë nga Kremlini, të shpërndarë nga agjencia shtetërore Tass, thuhej se Putin theksoi se çdo marrëveshje e mundshme për Ukrainën duhet të pasqyrojë "realitete të reja territoriale" dhe "të adresojë shkaqet rrënjësore të konfliktit".
Moska thekson gjithashtu rënien e paprecedentë në marrëdhëniet ruso-gjermane dhe se lufta në Ukrainë ishte një rezultat i drejtpërdrejtë i politikës agresive të NATO-s. Putini dhe zyrtarët rusë kanë fajësuar në mënyrë të përsëritur NATO-n për aktin e agresionit të Rusisë në fillim të vitit 2022.
Sipas Kremlinit, biseda është iniciuar nga pala gjermane. Udhëheqësi gjerman tha se kishte folur më parë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në telefon dhe do të bisedojë sërish pas telefonatës me Putinin.
Por Volodymyr Zelenskyy ka paralajmëruar se biseda telefonike midis Olaf Scholz dhe Vladimir Putin do të hapë "Kutinë e Pandorës".
“Tani mund të ketë biseda të tjera, thirrje të tjera. Vetëm shumë fjalë. Dhe kjo është pikërisht ajo që Putini ka dashur prej kohësh: është jashtëzakonisht e rëndësishme që ai të dobësojë izolimin e tij”, tha Zelenskyy.
“The Guardian” shkruan se telefonata 1-orëshe me Scholz erdhi pasi Putin thuhet se ka folur edhe me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, administrata e të cilit është zotuar për një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane tha se Scholz do të informojë edhe aleatët perëndimorë për bisedën e tij me Putinin. Kohët e fundit Scholz kishte sinjalizuar gatishmërinë e tij për të pasur kontakte të drejtpërdrejta me Putinin, ndërsa Kremlini tha se ishte i hapur për një bisedë.
Thirrja mes dy liderëve vjen në një pikë kritike në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska. Rusia, me mbështetjen e ushtarëve të Koresë së Veriut, po planifikon një sulm të rëndësishëm për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni i saj perëndimor i Kursk, ndërsa forcat ruse po bëjnë përparime të shpejta në lindje të Ukrainës.
Gatishmëria e Scholz-it për t'u angazhuar me Putinin ka të ngjarë të provokojë zhgënjim në Ukrainë, e ardhmja e së cilës u bë e pasigurt pas fitores së Trump, duke ngritur shqetësime se SHBA mund t'i japë fund ndihmës së saj ushtarake.
Sipas Reuters, Zelenskyy e paralajmëroi Scholz-in të mos fliste me Putinin me telefon, duke thënë se kjo do të dobësonte izolimin e liderit rus, i cili do të vazhdonte luftën.
Javën e kaluar Gjermania u zhyt në trazira politike pas vendimit të Scholz për të shkarkuar ministrin e tij të financave, një veprim që çoi në shpërbërjen e qeverisë së tij. Gjermania do të mbajë zgjedhje të parakohshme më 23 shkurt. ©LAPSI.al