Vinicius ka premtuar se do të përkushtohet 10 herë më shumë për të fituar atë Top të Artë që i shpëtoi këtë vit në mënyrë mjaft të habitshme, kur të gjithë e konsideronin si favorit për ta marrë çmimin më të lakmuar individual në futboll. Megjithatë, polemikat për dhënien e trofeut te Rodri nuk po shuhen. Ndërsa preferenca midis të dyve mund të jetë e pranueshme, ajo që duket vërtet surrealiste është se disa gazetarë mes atyre që votuan për Topin e Artë kanë menduar që Vinicius nuk e meritonte as të ishte ndër dhjetë më të mirët.
Ky është rasti i përfaqësuesit të El Salvadorit, Bruno Porzio, i cili shpjegoi pse, sipas tij, 24-vjeçari brazilian i Real Madridit nuk duhej të ishte në top 10, duke cituar në mënyrë akoma më të habitshme precedentën e Mario Gotze: “Vinicius shënoi një gol në finalen e Ligës së Kampionëve, në rregull, por edhe Mario Gotze ka shënuar në një finale të Kupës së Botës. Dhe kush e kujton sot Mario Gotze?”
Gazetari nga El Salvador shpjegon pse Vinicius nuk e meriton 10-shen
Porzio ka argumentuar zgjedhjen e tij edhe nga pikëpamja tekniko-taktike, duke përmendur edhe arsye sjelljeje: “Vinicius nuk është një shembull i fairplay-it dhe nuk e konsideroj një lojtar vendimtar në aspektin e lojës. Është i rëndësishëm për Real Madridin, por Bellingham ka qenë më i rëndësishëm. Për mua është një lojtar që vepron në një hapësirë të kufizuar në fushë. Ka arritur të shënojë gola të rëndësishëm, të bëjë lojëra të rëndësishme, por lëvizja e tij në fushë është mjaft e kufizuar në fazën pa top, kështu që mendoj se nuk është një lojtar i kompletuar dhe nuk është ndër 10 lojtarët më të mirë të Evropës. Për mua, nëse do ta vendosja në vendin e 7-të apo të 8-të, do të ishte më mirë të mos e vendosja, nuk do t’i bënte mirë. Nuk mund ta konsideroj Viniciusin për një Top të Artë.”
Mjaft e diskutueshme, për ta thënë me eufemizëm, është edhe renditja e dhjetë më të mirëve e treguar nga gazetari salvadorian: 1. Bellingham, 2. Haaland, 3. Kroos, 4. Lautaro Martinez, 5. Dani Olmo, 6. Calhanoglu, 7. Rodri, 8. Wirtz, 9. Foden, 10. Ruben Dias.
Krahasuar me renditjen përfundimtare të Topit të Artë të dhënë nga France Football, në top 10 të Porzios mungon jo vetëm fituesi Vinicius, por edhe i rendituri i katërt Carvajal, i gjashti Mbappé, i teti Yamal dhe i dhjeti Kane.
Vinicius dhe Real e kanë marrë shumë keq rezultatin final
Korespondenti i gazetës së El Salvadorit ‘El Grafico’ iu përgjigj atyre që e akuzojnë për tifoz të Barcelonës: “Pse nuk e votova Viniciusin në top 10? Sepse, nëse shohim kriteret që na kërkon France Football, nuk e gjej Viniciusin ndër më të mirët. Në ato kritere gjej Jude Bellingham dhe kjo është arsyeja pse i kam dhënë vendin e parë mes 30 lojtarëve që na janë dhënë si mundësi. Më ka irrituar mënyra se si e trajtuan këtë çështje te ‘El Chiringuito’ (emision shumë i ndjekur televiziv spanjoll, red.), duke publikuar një video timen me fanellën e Barcelonës. Nëse pyesni në El Salvador, do t’ju thonë që nuk kam ndonjë lidhje me Barcelonën. I konsideroj një ekip të korruptuar, që ka paguar Negreiran dhe ka përfituar në Champions nga Aytekin dhe Obrevo…”.
Lexo më tej: France Football shpjegon pse trofeu nuk shkoi te Vinicius: “Çështje matematike”
“Unë vesh fanellat që dua,” vazhdoi Porzio, duke folur për Radio Marca – “Fanella e Barcelonës është për shkak të një basti gjatë pandemisë. Skuadra ime është Milani, kam rrënjë italiane dhe nuk kam ndonjë preferencë për ndonjë ekip spanjoll. Nuk kam asnjë lidhje me Barcelonën, përkundrazi…”