Ministrja për Shtetin dhe Marrëdhëniet për Parlamentin, Elisa Spiropali komentoi refuzimin që Sali Berisha i bëri ofertës së mazhorancës për të negociuar emrin e një presidenti konsensual. Duke shfrytëzuar faktin që në Partinë Demokratike vazhdon përçarja mes grupit të Bashës dhe të Berishës, Elisa Spiropali sqaroi se ftesa për negociata nuk ishte për Berishën.
Por më shumë se sa qëndrimi për negociatat, në mesazhin e Spiropalit ra në sy fjalori makabër që ajo përdori, kur i përmend Berishës vdekjen.
“Sali Berisha është vetpërjashtuar nga një proces ku nuk e ka ftuar askush dhe ku askush nuk ka pasur asnjë plan për ta ftuar! Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës nuk parashikon pjesëmarrjen e të vdekurve që nuk vdesin” ka shkruar Spiropali në Twitter.
Teksti me nota mortore nuk përdoret për herë të parë për Berishën 78-vjeçar. Spiropali pason deklaratën e Ramës disa ditë më parë, që kur u pyet nga gazetarët për të njëjtën çështje, u shpreh: “Unë flas për të gjallët, ju flisni për të vdekurit”.
Vetë Berisha nuk është kursyer ndonjëherë të përmendë të vdekurit e kundërshtarëve të tij politikë. Pak pasi nëna e kryeministrit kishte ndërruar jetë, Berisha komentoi me ironi në rrjetet sociale një intervistë të Ramës në Opinion duke thënë “Ka marrë fund fare. Ka filluar të flasë për Anetën, si Enveri për Anenë”. (VIDEO KETU)
“Ça t’i them unë atij që flet për nënën time të vdekur? AI është kokrra e mjerimit dhe ti që e lexon këtu, ai është kokrra e mjerimit” u shpreh Rama, dukshëm i prekur në emision.