Një incident ndodhi sot në Dajt, në vendin ku u gjet trupi i pajetë i Ruzhdi Hoxhës. Një polic që po hapte rrugën për kalimin e një furgoni për pak hodhi në humnerë gazetaren Anila Hoxha dhe kameramanin e saj. Për këtë ka reaguar menjëherë një nga shoqatat e gazetarëve "Unioni i Gazetarëve Shqiptarë" që i kërkon titullarëve të policisë të ndëshkojë efektivin që shtyu gazetaren dhe kameramanin. Gledis Nano ka vetëm pak ditë në punë, por mbetet për t'u parë se si do të reagojë ai për incidentin që mund ta shikoni KETU të filmuar nga kameramanët e tjerë të pranishëm në vendngjarje.
"Shtyrja dhe sjellja brutale e një punonjësi policie e cila i rrezikoi jetën reporteres Hoxha, përbën një akt të përsëritur punonjësish me uniformën e policisë së shtetit ndaj reporterëve dhe operatorëve të mediave vendore dhe kombëtare. Reagimi i menjëhershëm i koleges Anila Hoxha, në respekt të mbrojtjes së integritetit fizik dhe denoncimit të natyrës agresive të punonjësit të policisë së shtetit, gjejnë mbështetjen e plotë të organizatës sonë.
UGSH u kërkon titullarëve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të reagojnë me veprime konkrete ndëshkuese ndaj individëve të tillë të cilët duhet të njohin dhe respektojnë në çdo rast integritetin fizik dhe atë profesional të reporterëve në krye të detyrës. Akte të tilla të përsëritura gjatë këtij viti, dëshmojnë qartazi se punonjës të tillë e kanë jo vetëm sjellje, por mesa duket natyrë, cënimin fizik me gazetarët dhe reporterët në terren" thuhet në njoftimin e unionit.