Takimi në Stamboll për finalen e Europa League 2026 do të vendosë përballë favoritët e kompeticionit, Aston Villa, dhe surprizën Freiburg, me të dyja skuadrat që do të kërkojnë lavdinë mbrëmjen e së mërkurës. Ndërsa anglezët presin prej 30 vitesh një trofe madhor, kundërshtarët e tyre gjermanë kanë një thatësirë që zgjat prej më shumë se një shekulli.
ASTON VILLA
Pasi arriti në gjysmëfinalet e Conference League në vitin 2024 dhe në çerekfinalet e Champions League sezonin e kaluar, Aston Villa synon të hedhë hapin e madh dhe të fitojë trofeun e parë europian pas më shumë se një gjenerate. Kanë kaluar dekada që kur klubi nga Midlands mposhti Bayern Munich për t’u shpallur kampion i Europës, por tani do të përballet me një tjetër skuadër gjermane me trofeun e Europa League në lojë.
Rrugëtimi drejt finales ka qenë pothuajse perfekt: Villa fitoi të gjitha ndeshjet përveç njërës në fazën e ligës duke u renditur e dyta, më pas kaloi pa shumë vështirësi Lille dhe Bologna për të siguruar një gjysmëfinale angleze ndaj Nottingham Forest.
Lexo më tej: Emery nuk e përshëndeti Artetën se “bën shumë ftohtë”: një video zbulon të vërtetën
Edhe pse Forest fitoi ndeshjen e parë, Villa reagoi në mënyrë spektakolare në “Villa Park”. Kapiteni historik John McGinn shënoi dy golat e fundit në triumfin e thellë 4-0, duke ringjallur ëndrrën për trofeun e parë madhor që nga viti 1996. Pas barazimit 2-2 ndaj Burnley, skuadra e Unai Emery bëri provën gjenerale perfekte për finalen, duke shënuar katër gola kundër Liverpool të premten. Jo vetëm që ky rezultat i çoi mbi rivalët në vendin e katërt, por siguroi matematikisht edhe një vend në Champions League me një javë para fundit, duke i lejuar të fokusohen totalisht te finalja.
Villa hyn si favorite: asnjë skuadër nuk ka fituar më shumë ndeshje në Europë sesa 26 të sajat që nga fillimi i sezonit 2023-24, ndërsa vetëm Arsenal ka më shumë “clean sheets” (19 kundrejt 16 të Villans). Për më tepër, trajneri bask është specialist i këtij turneu: Emery ka fituar katër herë Europa League dhe mund të bëhet vetëm trajneri i dytë në histori që drejton katër klube të ndryshme në finalet e UEFA-s, pas José Mourinhos. Pas fitores së 600-të në karrierë dhe të 107-ës me Aston Villa, një tjetër triumf do ta kthente në legjendë në Birmingham.
FREIBURG
Nëse Villa pret prej 30 vitesh një trofe të madh, Freiburg kërkon të fitojë titullin e parë në histori, 122 vite pas themelimit të klubit. Duke vazhduar punën e shkëlqyer të Christian Streich, që drejtoi skuadrën nga 2011 deri në 2024, klubi nga Pylli i Zi po zhvillon fushatën më të mirë europiane në historinë e tij. Rrugëtimi ka qenë i jashtëzakonshëm duke pasur parasysh resurset modeste të klubit. Skuadra e Julian Schuster mbeti e pamposhtur në shtatë ndeshjet e para të fazës së ligës dhe më pas shpërtheu në fazën me eliminim direkt.
Pas triumfit 5-2 ndaj Genk, Freiburg eliminoi Celta Vigo me rezultatin total 6-1, duke siguruar gjysmëfinalen ndaj Braga. Megjithëse humbi 2-1 ndeshjen e parë në Portugali, një karton i kuq i hershëm për portugezët në Gjermani ndryshoi gjithçka. Golat e Lukas Kubler dhe Johan Manzambi i dhanë avantazhin Freiburg, që rezistoi deri në fund për të arritur finalen historike.
Fuqia sulmuese ka qenë arma kryesore: gjermanët kanë shënuar të paktën tre gola në katër nga gjashtë ndeshjet e fazës eliminatore dhe kanë realizuar 25 gola në total, më pak vetëm se Aston Villa me 28.
Fundjavën e kaluar, Freiburg shkatërroi RB Leipzig 4-1 dhe siguroi vendin e shtatë në Bundesliga, duke prerë biletën për Conference League sezonin e ardhshëm. Por një fitore ndaj Aston Villa do t’i jepte jo vetëm një vend historik në Champions League, por mbi të gjitha trofeun e parë të madh në histori.
Si vjen Aston Villa?
Dyshimet mbeten për Amadou Onana, i cili nuk luan që nga gjysmëfinalja e parë ndaj Nottingham Forest. Emery mund të vazhdojë me Victor Lindelof si mesfushor të improvizuar, megjithëse suedezi doli me problem në këmbë ndaj Liverpool-it. Në alternativë mund të aktivizohen Douglas Luiz ose Lamare Bogarde, ndërsa Ross Barkley nuk është i federuar dhe Boubacar Kamara e ka mbyllur sezonin.
Në sulm, Ollie Watkins po kalon formë fantastike: realizoi dy gola ndaj Liverpool-it dhe është golashënuesi më i mirë i Villa-s në Europë me pesë gola. Emi Buendia ka kontribuar në tetë gola në 11 ndeshje si titullar në Europa League, ndërsa Morgan Rogers kryeson kompeticionin për rastet e krijuara (27) dhe prekjet në zonën kundërshtare (65).
Si vjen Freiburg?
Freiburg do të mungojë vetëm me Yuito Suzuki për shkak të një frakture në klavikulë, ndërsa Patrick Osterhage mbetet në dyshim. Ylli në rritje Johan Manzambi kryeson Europa League për topat e fituar (72), duelet e fituara (97) dhe faullet e fituara (37). Veterani Matthias Ginter nuk ka humbur asnjë minutë dhe ka realizuar dy gola në fazën eliminatore.
Kapiteni historik Vincenzo Grifo ka marrë pjesë në të paktën një gol në secilën nga pesë paraqitjet e fundit europiane, ndërsa sulmuesi kroat Igor Matanovic realizoi golin e 11-të sezonal në Bundesliga fundjavën e kaluar. Në mesfushë, Nicolas Hofler pritet të luajë përkrah kapitenit Maximilian Eggestein në një mbrëmje emocionale, vetëm pak ditë pas ndeshjes së tij të 293-të dhe të fundit në kampionat me Freiburg.