Në Varshavë nuk u mbyll vetëm ëndërra e kualifikimit për në finalet e Botërorit 2026, por edhe një cikël për Kombëtaren. Ende jo për lojtarët, edhe ata me moshën më të avancuar, por për një projekt që u nis nga Sylvinho pak më shumë se tre vjet më parë. Tekniku brazilian nuk ka rinovuar me FSHF-në dhe rrugët me kuqezinjtë janë ndarë. Ronaldo Maran do të jetë trajneri i ri i Kombëtares. Italiani 62 vjeçar nuk është i famshëm si braziliani, por në karrierë ka drejtuar shumë ekipe italiane, Brescia e fundit.
Kush është Ronaldo Maran?
Italiani nga Trento nuk ishte ndër emrat e përfolur dhe shumë më pak i njohur se Cannavaro për të cilin kishte interes. Sidoqoftë, në një karrierë të nisur si asistent te Brescia në vitin 1998 dhe e mbyllur si trajner po te Brescia 27 vjet më vonë, Marran ka drejtuar 10 ekipe, mes Serive të ndryshme, me qendrimin më të gjatë te Chievo e me rikthimet më të shpeshta te Brescia. Italiani preferon të njëjtin modul loje me brazilianin Sylvinho, një 4-2-3-1 që do ta bëjë më të lehtë periudhën tranzitore. Miqësoret e qershorit janë të parat në detyrë për teknikun 62 vjeçar.
Arsyet e mos-rinovimit
Në janar 2026, Sylvinho firmosi një rinovim 7 mujor të kontratës, duke qenë se arriti në playoff të Botërorit. Akordi me brazilianin mbyllej me fushatën kualifikuese, ndaj erdhi edhe ky rinovim, që përfshinte ndeshjet e playoff-it në muajin mars, por edhe turneun e madh në SHBA, Kanada e Meksikë në rast kualifikimi. Kjo gjë nuk ndodhi, prej 2-1 me Poloninë, kështu që impenjimi i fundit i teknikut mbeti ai i 31 marsit, në miqësoren e humbur me Ukrainën.
Objektivi i brazilianit ishte arritja në Botëror dhe mungesa e përmbushjes së pritshmërisë ka koston e saj. Sidoqoftë, edhe në rast se Sylvinho e dërgonte skuadrën në misionin historik, nuk do të vazhdonte më me kuqezinjtë, pasi i kishte udhëhequr në Euro 2024 dhe potancialisht Botërorin 2026. Më mirë se kaq, në dy fushata radhazi, vështirë se mund të bëhej, kështu që 51 vjeçari do të mendonte për një tjetër eksperiencë.
Aventura kuqezi e Sylvinho-s
Sylvinho drejton Shqipërinë që nga janari i vitit 2023, duke u bërë trajneri më i suksesshëm i Kombëtares. Në 33 ndeshje tekniku brazilian arriti 15 fitore, 7 barazime dhe 11 humbje, me një golavarazh me 40 gola të shënuar dhe 29 të pësuar. Ndeshjet zyrtare do të rikthehen në shtator, pikërisht me Nations League, por atëherë kontrata e teknikut do të ketë përfunduar, ndërsa ajo ndaj Ukrainës më 31 mars ishte e fundit për brazilianin në pankinën e Shqipërisë.