Flash

Malomo e James, triumfon Dinamo: Daja hakmerret me Martinin, tronditet Vllaznia

Lapsi.al 16 May 2026
Malomo e James, triumfon Dinamo: Daja hakmerret me Martinin, tronditet Vllaznia

Dinamo ka hyrë fuqishëm në garën e “Final 4”, duke tronditur menjëherë ekuilibrat e luftës për titull pas suksesit 2-0 ndaj Vllaznisë në “Air Albania”. Në një ndeshje ku favoritë konsideroheshin shkodranët për shkak të pozicionit në renditje dhe formës së treguar gjatë sezonit, skuadra kryeqytetase arriti të ndryshojë plotësisht pritshmëritë, duke marrë një fitore që jo vetëm i mban në garë, por edhe rihap plotësisht betejën për kampionatin. Bie Vllaznia e tani Elbasani ka mundësinë të shkëputet me një fitore nesër ndaj Egnatias.

Dinamo zbriti në fushë me shumë mungesa dhe pa trajnerin Ilir Daja në stol, çka krijonte idenë e një skuadre të limituar në alternativë dhe energji. Përballë saj ishte Vllaznia që kryesonte renditjen dhe që pritej të shfaqte më shumë qartësi dhe personalitet në një sfidë me peshë të madhe psikologjike. Por ajo që u pa në fushë ishte krejt ndryshe. Shkodranët dominuan vetëm në mbajtjen e topit dhe në territor, ndërsa në momentet vendimtare munguan idetë, saktësia dhe qetësia para portës.

Përjashtimi i Bajramit vendimtar

Dinamo, edhe pse jo shumë agresive në ndërtimin e lojës, u tregua tepër e disiplinuar në aspektin taktik. Blutë mbrojtën me kujdes dhe pritën momentin e duhur për të goditur një kundërshtar që gradualisht nisi të humbiste ekuilibrin. Episodi që ndikoi më shumë në rrjedhën e ndeshjes ishte përjashtimi i Melos Bajramit në pjesën e dytë, pas kartonit të dytë të verdhë. Me një lojtar më pak, Vllaznia u bë edhe më e çorganizuar, duke lënë hapësira që Dinamo arriti t’i shfrytëzonte.

[video width="646" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/05/6a08b83ad2050.mp4"][/video]

Goli i parë erdhi nga Malomo në minutën e 77', në një aksion ku mbrojtja shkodrane reagoi me vonesë. Mesfushori nigerian, ish-lojtar i Vllaznisë, zgjodhi të mos festonte, në shenjë respekti ndaj ish-ekipit të tij. Megjithatë, edhe pas golit të pësuar, Vllaznia vazhdoi të shpërdoronte rastet, duke treguar nervozizëm dhe mungesë kthjelltësie në fazën përfundimtare.

[video width="646" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/05/6a08ba0a13ecf.mp4"][/video]

Në fund, tentativa e dëshpëruar e Pohls për t’u bashkuar me sulmin në një goditje standarde rezultoi fatale. Dinamo fitoi topin dhe goditi me kundërsulm të shpejtë, me James që vulosi suksesin 2-0 në minutat shtesë. Ishte një fitore që ndryshon atmosferën e “Final 4”, sepse Dinamo afrohet ndjeshëm me kreun dhe i jep një tjetër dimension garës për titull.

[video width="658" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/05/6a08be6e7a85b.mp4"][/video]

Situata në renditje

Tashmë presioni kalon te Elbasani dhe Egnatia, që përballen në ndeshjen e radhës. Një fitore e verdhebluve do t’i afronte ata ndjeshëm me titullin, ndërsa rezultati i kësaj mbrëmjeje tregoi qartë se në “Final 4” asgjë nuk është e paracaktuar dhe çdo detaj mund të ndryshojë fatin e kampionatit.

Të këshilluara

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

93.69

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI