Flash

Kriza politike në Britaninë e Madhe/ DW: Si do të vazhdojë drama politike e Starmer

Lapsi.al 16 May 2026
Kriza politike në Britaninë e Madhe/ DW: Si do të vazhdojë

Për kryeministrin britanik Keir Starmer situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Prej muajsh presioni ndaj kreut të Partisë socialdemokrate Labour është në rritje, tani ai është më i madh se kurrë. Starmer deri më tani ka refuzuar me këmbëngulje të japë dorëheqjen. Nëse do të rrëzohet, mbetet e paqartë – por kriza po thellohet. Ndërkohë, tashmë po qarkullojnë edhe emra të mundshëm pasuesish.

Një javë pas rezultatit tejet të dobët në zgjedhjet lokale dhe rajonale, ministri i Shëndetësisë Wes Streeting dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj kryeministrit. Rreziku më i madh për Starmer mund të vijë nga rivali i tij brenda partisë, Andy Burnham, i cili po konsiderohet si sfidues i liderit të lëkundur. Po ashtu, kryebashkiaku i Mançesterit; Burnham ka paralajmëruar se do të tentojë të hyjë në parlament.

Çfarë kritikash ka ndaj Starmerit?

Kryeministri britanik kritikohet ndër të tjera për rezultatet e dobëta të partisë së tij në zgjedhjet lokale dhe rajonale javën e kaluar në Britaninë e Madhe. Megjithatë, kërkesa për dorëheqjen e tij kishte pasur edhe më herët – mes të tjerash për emërimin e vitin e kaluar të të afërmit të Epstein, Peter Mandelson, si ambasador në SHBA. Qeveria laburiste, e drejtuar nga Starmer, është në qendër të kritikave edhe për ekonominë e dobët, kostot e larta të jetesës dhe shërbimin publik të amortizuar. Votuesit e akuzojnë atë se nuk i ka përmbushur premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore.

Pritej që me dorëheqjen e ofruar, ministri i Shëndetësisë Streeting ta sfidonte drejtpërdrejt kryeministrin Starmer për drejtimin e partisë. Por kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Starmer duket se ende po arrin të mbahet në postin e tij. Por nëse do të pasonin dorëheqje të tjera nga kabineti, situata për Starmer do të bëhej më e vështirë. "Problemi i madh i Starmerit”, sipas analizës së gazetarit të Sky News, Sam Coates, është mungesa e mbështetjes në grupin e tij parlamentar, e pa të ai nuk mund të qeverisë: "Kjo nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu.”

Si rrezik i mundshëm për të konsiderohen ministrja e Brendshme Shabana Mahmood dhe ministri i Energjisë Ed Miliband, të cilët, sipas raportimeve mediatike, thuhet se janë shprehur për një largim të parakohshëm të kryeministrit. Nëse ministrja e Brendshme do të jepte dorëheqjen, kjo ka shumë gjasa të shënonte fundin e epokës së Starmerit.

Kush mund ta pasojë Starmerin?

Ish-ministri ambicioz i Shëndetësisë, Streeting, konsiderohet si kandidat i dytë i fortë për garën për drejtimin e partisë. Brenda Labour-it ai i përket krahut të djathtë, ndërsa në kampin e majtë të partisë shihet pothuajse me armiqësi.

Më shumë gjasa i atribuohen kryebashkiakut të Mançesterit, Andy Burnham. Ai konsiderohet aktualisht si politikani më i popullarizuar laburist në vend dhe kështu konkurruesi më i fortë i Starmerit. Burnham u largua nga parlamenti rreth dhjetë vjet më parë, pasi dështoi në përpjekjen për të marrë drejtimin e partisë. Deputeti laburist Josh Simons ndërkohë ka hequr dorë nga mandati i tij në favor të Burnhamit. Kjo i hap tani rrugën Burnhamit të kandidojë për një vend në parlament – një kusht i domosdoshëm për të kandiduar si kryeministër.

Së fundi, në skenë është futur edhe ish-zëvendëskryeministrja Angela Rayner. 46-vjeçarja nga krahu i majtë i partisë kishte dhënë dorëheqjen në shtator të vitit të kaluar për shkak të një afere tatimore. Më parë ajo konsiderohej si figura kryesore e krahut të majtë të Labour-it.

Pse Burnham mund të jetë kaq i rrezikshëm për Starmerin?

Prej muajsh, Burnham shihet si i preferuari i krahut moderat të majtë. Si kryebashkiak i Mançesterit, 56-vjeçari ka ndërtuar reputacionin e një politikani praktik dhe të afërt me qytetarët. Ndryshe nga Starmer, ai shihet si një vizionar i guximshëm./DW

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI