Flash

Fillon në qershor/ Gjithçka duhet të dini për faljen e borxheve tatimore dhe doganore

Lapsi.al 15 May 2026
Fillon në qershor/ Gjithçka duhet të dini për faljen e

Nga 10 qershori 2026 hyn në fuqi ligji për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore e doganore, një skemë që parashikon falje të pjesshme ose të plotë të borxheve për një pjesë të tatimpaguesve, në varësi të periudhës së krijimit të detyrimit dhe kushteve të pagesës.

Sipas njoftimit të Administratës Tatimore, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit do të hartohet lista e plotë e subjekteve që përfitojnë nga fshirja e detyrimeve, si edhe lista e atyre që nuk përfitojnë. Njoftimi do t’u dërgohet tatimpaguesve në mënyrë elektronike përmes sistemit “e-Filing”. Pas këtij procesi, Administrata Tatimore do të vijojë edhe me kompensimin automatik të tepricës kreditore të TVSH-së ose të tatimeve të tjera me detyrimet tatimore të subjekteve.

Ligji bën një ndarje të qartë sipas periudhës kur janë krijuar detyrimet. Për detyrimet tatimore të papaguara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirje e plotë, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëhet vetëm për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku nuk falet detyrimi principal.

Për detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, ligji ofron dy mundësi. E para: shuhet 50% e detyrimit principal, nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10 qershori 2026 deri më 30 qershor 2026. E dyta: shuhet 25% e detyrimit principal, nëse 75% e mbetur paguhet nga 10 qershori 2026 deri më 31 dhjetor 2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Për detyrimet tatimore të periudhës 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024 nuk falet principali, por fshihen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që detyrimi tatimor të paguhet i plotë, pra 100% i principalit, brenda afatit nga 10 qershori 2026 deri më 31 dhjetor 2026.

Ligji parashikon edhe një sërë lehtësish të tjera. Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31 dhjetor 2024, me përjashtim sërish të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Fshihen gjithashtu gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave për periudhat deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30 qershor 2026. Po ashtu, fshihen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe të vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31 dhjetor 2024, si edhe gjobat dhe interesat e krijuara nga ndryshimet e listëpagesave për shkak të akteve ligjore ose nënligjore me efekt prapaveprues apo vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Ligji parashikon edhe fshirjen e gjobave administrative për periudhat deri më 31 dhjetor 2024. 

Nga kjo skemë nuk përfitojnë subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore ose doganore, ata që janë në proces gjyqësor ose hetimi për vepra të tilla gjatë periudhës së zbatimit të ligjit, si dhe subjektet për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore apo Doganore për detyrimet që do të ishin objekt përfitimi.

Një kategori më vete janë edhe tatimpaguesit që ndodhen në proces ankimi administrativ ose gjyqësor. Ata mund të përfitojnë nga ligji vetëm nëse heqin dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë, ankimit apo rekursit. Sipas njoftimit, paraqitja e aktit përkatës duhet të bëhet me kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, duke nisur nga 10 qershori 2026, përpara pagesës së detyrimit principal, por jo më vonë se 30 nëntori 2026.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të kryejnë pagesat brenda afateve, në mënyrë që të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në ligj. ©Lapsi.al 

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI