Flash

Ndodh për herë të parë/ NATO dhe ushtria e Serbisë kryejnë stërvitje të përbashkëta

Lapsi.al 13 May 2026
Ndodh për herë të parë/ NATO dhe ushtria e Serbisë

NATO dhe ushtria e Serbisë i kanë filluar stërvitjet e para të përbashkët ushtarake të martën në bazën ushtarake “Jugu” dhe poligonin e stërvitjes “Borovc” pranë Bujanocit, në jug të vendit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Stërvitjet do të mbahet deri më 23 maj, nën organizimin e Komandës së Forcave Tokësore dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta nga Napoli.

Në këto stërvitje po marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të ushtrisë serbe dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë dhe Turqisë.

Pjesëmarrës janë gjithashtu edhe planifikues dhe vëzhgues ushtarakë nga Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Rumania, Shtetet e Bashkuara, Serbia, Turqia, Franca dhe Mali i Zi.

Udhëheqësi i stërvitjes është koloneli Branisllav Stevanoviq, zëvendëskomandant i Brigadës së Tretë të Ushtrisë së Serbisë.

“Gjatë aktiviteteve dyjavore në terren, do të praktikohen taktikat, teknikat dhe procedurat e përdorura në operacionet e mbështetjes së paqes, siç janë siguria në baza, puna në pikat e kontrollit, kontrolli i tubimeve masive dhe luftimet urbane”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Sipas Ministrisë, stërvitja përfaqëson një vazhdim të bashkëpunimit midis Serbisë dhe NATO-s në kuadër të programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Ky bashkëpunim i shërben qëllimit të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, përmirësimit të aftësive operacionale të forcave të armatosura dhe forcimit të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Serbia është anëtare e programit të NATO-s, Partneritetit për Paqe, që nga viti 2006, por këmbëngul në neutralitetin ushtarak.

Pasi Rusia nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Serbia vendosi moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj.

Megjithatë, pati përjashtime, siç ishin stërvitjet ushtarake “Ujku Platin” në vitet 2023 dhe 2025, të cilat u mbajtën me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të disa vendeve të tjera anëtare të NATO-s.

Në Serbi, ekziston një narrativë negative ndaj NATO-s, e cila mbështetet edhe nga autoritetet, si rezultat i bombardimeve që ajo kreu kundër Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999 për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Në të kaluarën, përveç ushtrimeve me forcat e armatosura të SHBA-së, në të cilat morën pjesë disa anëtarë të tjerë të NATO-s, ushtria serbe ka zhvilluar stërvitje ushtarake edhe me ushtrinë kineze.

Në korrik të vitit 2025, një stërvitje dhjetëditore e forcave speciale të ushtrive të Serbisë dhe Kinës u mbajt në provincën kineze Hebei, pavarësisht paralajmërimit të Brukselit ndaj Beogradit.

Ndryshe nga vitet e kaluara, që nga viti 2022 nuk ka pasur ushtrime të përbashkëta midis Serbisë dhe Rusisë dhe Bjellorusisë.

Serbia është kritikuar nga Bashkimi Evropian për ushtrime të përbashkëta me këto vende.

Kjo është arsyeja pse Beogradi anuloi pjesëmarrjen e tij në ushtrimet ruse-bjelloruse-serbe në vitin 2020, sepse ato po zhvilloheshin në Bjellorusi në një kohë kur ky vend ishte i tronditur nga një krizë politike pas zgjedhjeve presidenciale./ REL

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI