“Të them të drejtën, meqë sot festojmë, do themi një herë të keqen e kësaj loje. Nuk e di çfarë ka Enea Jorgji. E ka nisur që në Kukës me historinë me Skënderbeun, e ka vazhduar me Partizanin në një ndeshje të parafundit këtu”. Ilir Daja është një lumë i fryrë, pas finales së fituar me Egnatian, por në të cilën u ndëshkua edhe vetë me karton të kuq. “Nuk e marr vesh se si një arbitër i FIFA-s, që nuk e nxori as me të kuqe Bakayoko pa VAR se është ndërhyrja e tij që portieri është në spital e tani më thanë ka dalë nga salla e operacionit për qepje, të japë një karton të verdhë të dytë në finale për këndore. Vetëm ai mund ta jape”.
Daja nuk ngurron të kujtojë edhe të shkuarën, duke e menduar personale mes tij dhe Jorgjit: “Nëse do ta prishë se ka inat Ilir Dajën, të merret me mua personalisht e jo me të tjerët. Se ka president që investon, janë 30 lojtarë që japin shpirtin në 36 javë dhe pjesën e Kupës dhe të vish e të shohësh një arbitër që të nxjerr lojtarin se vonoi një këndore është problem shumë i madh”, ishin kritikat e Dajës ndaj kryesorit në fjalët për RTSH.
Dede, sulm frontal Jorgjit: “Një finale që u mbyll shëmtuar”

“Ky është futbolli, nuk varet çdo gjë vetëm nga ne. Pishman? Shumë mendime të vijnë në kokë dhe ajo që është më e rëndësishme... më vjen keq për pjesën e parë pavarësisht kartonit të kuq të Bakayoko, nuk e kam parë si pamje. Në pjesën e dytë djemtë treguan se kush është kjo skuadër, dolën nga fusha dinjitozë”. Nevil Dede ende nuk e ka kapërcyer zhgënjimin për humbjen e një finale, që të paktën mendoi se do ta lunate ndryshe. Egnatia luajti me 10 lojtarë që nga minuta e 7’, duke e bërë të vështirë reagimin. “Komplimente për forcën e djemve, sidomos për forcën që patën deri në fund, deri në minutën e 95-të plus dy që na i hoqën. Në Final Four shpresoj që të fitojmë në 90 minuta sepse nuk do të kemi asnjë shans tjetër”.
Dede pastaj shënjestroi arbitrin e ndeshjes Enea Jorgji, duke i kujtuar se në një finale të paktën rregullorja duhet zbatuar: “Më vjen keq që një finale u mbyll në mënyrë të shëmtuar me shumë diskutime dhe polemika, na hoqën të drejtën për të luajtur 2 apo 3 minuta. Të paktën duhet zbatuar rregullorja sipas çdo elementi. Nuk erdha i papërgatitur për këtë diskutim. Ka filluar sqarimi i Ilir Dajës në minutën e 93-të, nuk është luajtur për 2 minuta, si mund të shtohen vetëm 40 sekonda. Nuk po flas për topat e hedhur në fushë, është epokë e lashtë në gjykimin tim. Prandaj mendoj se finalja u mbyll në mënyrë të shëmtuar. Qëllimi nuk e justifikon mjetin, me të tilla mjete jo”.
Bregu: “E donim këtë trofe”
Sulmuesi i Dinamos Dejvi Bregu, protagonist edhe në finale e Kupës ndaj Egnatias, me një super gol, tregoi dëshirën e madhe të skuadrës për të fituar Kupën e Shqipërisë dhe ambicjet për Final 4: “E kishim kërkuar këtë trofe edhe pse sezoni jonë ka qenë me ulje-ngritje, sot ishim fitimtarë. Për veten time jam i kënaqur, nëse golat dhe asistet i japin pikë dhe trofe ekipit është mirë, ta gjykojnë të tjerët. Final Four i vështirë, kemi kohë të përgatitemi, shpresojmë që të japim maksimumin. Jemi larg me pikët, por do ta tentojmë”.
Aliji: “Synojmë të fitojmë të gjithë ndeshjet”
Mbrojtësi i Dinamos dhe i Kombëtares Naser Aliji, ka folur pas ndeshjes: “Ishte një ndeshje me shumë emocione. Jemi shumë të lumtur që e fituam. Kemi besuar që nga fillim që do e fitonim dhe kështu ndodhi. Ishte një trofe që e kemi kërkuar, por në kampionat nuk jemi të kënaqur. Do japim maksimumin në Final Four, synojmë të fitojmë të gjitha ndeshjet”.