Flash

Misteri i dorëheqjes së papritur të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje

Lapsi.al 12 May 2026
Misteri i dorëheqjes së papritur të përfaqësuesit

Edhe 24 orë pas publikimit të lajmit për tërheqjen e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, arsyet e këtij vendimi të Christian Schmidt mbeten ende të paqarta.

Megjithëse në njoftimin e tij ai e ka cilësuar këtë hap si një “vendim personal”, disa media raportojnë se largimi i tij mund të jetë ndikuar nga presione politike, duke e lidhur atë me çështjen e pronës shtetërore dhe projektin e gazsjellësit Interkoneksioni Jugor.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë ka detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe të sigurojë funksionimin e institucioneve shtetërore në përputhje me të.

Ndërkohë, nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka pasur përgjigje ndaj kërkesave për koment lidhur me këtë zhvillim. Gjithashtu, nuk kanë reaguar as ambasadat e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Sarajevë, të cilat janë pjesë e Këshillit për Zbatimin e Paqes.

Çështja e përdorimit të pronës shtetërore në Bosnje-Hercegovinë ka qenë e rregulluar me kufizime për më shumë se dy dekada, që nga periudha e ish-përfaqësuesit të lartë Paddy Ashdown, dhe mbetet ende e pazgjidhur për shkak të mungesës së një ligji të ri shtetëror.

Ky ligj do të përcaktonte qartë statusin e pronës shtetërore dhe mënyrën e administrimit të saj, por miratimi i tij ka mbetur i bllokuar për vite të tëra nga përfaqësues politikë të Republikës Sërpska.

Sipas disa analistëve politikë, politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Bosnje-Hercegovinës ka ndikim të madh në zhvillimet aktuale. Ata vlerësojnë se qasja e re amerikane, e fokusuar më shumë në interesa ekonomike dhe gjeopolitike, mund të ketë ndikuar në vendimin e Schmidt.

Po ashtu, theksohet se ai mund të jetë tërhequr për shkak të mungesës së mbështetjes nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, si dhe për shkak të ndryshimeve në qasjen ndërkombëtare ndaj rajonit.

Disa analistë e shohin këtë situatë si pjesë të një faze më të gjerë pasigurie gjeopolitike, ku politika ndërkombëtare ndaj Bosnje dhe Hercegovinës po bëhet më pragmatike dhe e orientuar drejt interesave.

E ardhmja e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë shihet gjithashtu e pasigurt. Sipas disa vlerësimeve, roli i saj mund të zvogëlohet gradualisht në kuadër të procesit të integrimit evropian, megjithëse kjo nuk pritet të ndodhë në afat të shkurtër.

Ndërkohë, një ditë pas konfirmimit të tërheqjes së Schmidt, raporti i tij për gjendjen në Bosnje dhe Hercegovinë pritet të prezantohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në raport theksohet se bllokadat politike, veçanërisht nga Republika Sërpska, po pengojnë funksionimin e institucioneve dhe procesin e integrimit evropian të vendit. Gjithashtu përmenden mungesa e reformave, retorika nacionaliste dhe korrupsioni si faktorë që po thellojnë ndarjet politike dhe etnike.

Raporti ngre gjithashtu mundësinë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të kërkojë një vlerësim ligjor mbi mënyrën e emërimit të përfaqësuesit të lartë në vitin 2021, për të sqaruar bazën juridike të këtij procesi.

Sipas disa ekspertëve, megjithatë, nuk pritet ndryshim i qëndrimit të OKB-së për këtë çështje, pasi roli i emërimit të përfaqësuesit të lartë konsiderohet se i përket Këshillit për Zbatimin e Paqes.

Në të njëjtën kohë, mbetet me interes qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe i ndryshimeve të mundshme në qasjen e tyre ndaj Bosnje-Hercegovinës, veçanërisht në raport me Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin e vendit./REL

Të këshilluara

ide

Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

21:40 Blendi Kajsiu

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.67

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI