Presidenti rus Vladimir Putin ka sugjeruar që ish-Kancelari gjerman Gerhard Shrëder mund të koordinojë bisedimet me Bashkimin Europian për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Propozimi është pritur me skepticizëm nga zyrtarët europianë.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, tha së fundmi se beson se ekziston “potencial” që BE-ja të negociojë me Rusinë dhe të diskutojë edhe të ardhmen e arkitekturës së sigurisë në Europë.
I pyetur të shtunën se kë do të dëshironte të shihte në krye të rifillimit të bisedimeve me Europën, Putin tha se do të preferonte “personalisht” Shrëderin, i cili drejtoi Gjermaninë nga viti 1998 deri në 2005 dhe që ka mbetur i afërt me Kremlinin edhe pas largimit nga pushteti.
Një ditë më pas, lideri rus tha se lufta katërvjeçare mund të jetë “drejt fundit”, duke shtuar se është gati të zhvillojë bisedime direkte me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në Moskë ose në një vend neutral.
Pas ceremonive të Ditës së Fitores, që shënon triumfin sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945, Putin tha se do të pranonte të takohej me Zelenskyn vetëm pasi kushtet e një marrëveshjeje paqeje të ishin përcaktuar më parë.
Rusia kishte shpallur një armëpushim të njëanshëm dyditor më 8-9 maj për Ditën e Fitores, ndërsa Zelensky kishte propozuar një ndërprerje të luftimeve më herët, duke nisur nga nata e 5-6 majit.
Si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të udhëhequr nga Uashingtoni për paqe, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten një pauzë tre-ditore në konflikt, por që atëherë të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të saj.
Ndërsa bisedimet për paqe të mbështetura nga SHBA mes Kievit dhe Moskës po ngecin, pyetja është se kush është Shrëder dhe nëse ai mund të shihet si një ndërmjetës i besueshëm.
Kush është Gerhard Shrëder?
82-vjeçari i Partisë Socialdemokrate Gjermane shërbeu si kancelar i Gjermanisë nga 1998 deri në 2005. Gjatë mandatit të tij ai u përqendrua te integrimi europian, ulja e papunësisë, liberalizimi i ligjeve të shtetësisë, kufizimi i energjisë bërthamore dhe rindërtimi i ekonomisë.
Përplasja për luftën në Irak krijoi një çarje serioze në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-së në vitin 2003, kur Berlini u rreshtua me Francën dhe Rusinë kundër ndërhyrjes ushtarake.
Pas largimit nga posti në vitin 2005, Shrëder mori pothuajse menjëherë një rol drejtues në një konsorcium gjermano-rus që po ndërtonte një gazsjellës nën Detin Baltik. Ai mbajti role kyçe në projektet energjetike ruse, përfshirë Nord Stream dhe bordin e kompanisë ruse të naftës Rosneft, nga e cila u largua në vitin 2022.
Megjithëse hoqi dorë nga ai post, ish-kancelari ka mbetur i afërt me Putinin dhe është veçuar nga shumica e liderëve perëndimorë që prej pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, duke u përballur me kritika të forta në Gjermani.
Fakti që nuk e dënoi publikisht pushtimin rus të Ukrainës i ka kushtuar disa privilegje që zakonisht u jepen ish-Kancelarëve, përfshirë zyrën e financuar nga shteti. Ky qëndrim e ka kthyer atë në një figurë shumë të debatueshme në vendin e tij.
Çfarë marrëdhënieje ka me Putinin?
Shrëder e quajti Putinin në vitin 2004 “një demokrat pa të meta”, duke thënë se ishte “plotësisht i bindur” se presidenti rus donte ta kthente Rusinë në një demokraci.
Ai foli pak për përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet në Ukrainë gjatë atyre viteve, apo për sulmet e Kremlinit ndaj lirisë së shtypit. Përkundrazi, nën drejtimin e tij, Gjermania thelloi marrëdhëniet ekonomike me Rusinë, rriti tregtinë dhe u bë më e varur nga nafta dhe gazi rus.
Al Jazeera kujton librin e tij Klare Woerter (“Fjalë të qarta”), në të cilin Shrëder foli për raportin me liderin rus, i cili kishte punuar si agjent i KGB-së në Gjermaninë Lindore në vitet 1980 dhe flet rrjedhshëm gjermanisht.
“Gjëja më e rëndësishme për një miqësi është një gjuhë e përbashkët,” tha Shrëder, i cili ka edhe dy fëmijë të adoptuar nga Rusia. “Kjo e bën gjithçka më të lehtë.”
Miqësia e tyre, sipas raportimeve, u forcua më tej me kalimin e viteve. Shrëder kritikoi sanksionet kundër Rusisë, kundërshtoi përjashtimin e saj nga G8 dhe madje mbështeti argumentin e Kremlinit që krahasonte aneksimin e Krimesë me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, në një kohë kur ai vetë ishte kancelar i Gjermanisë.
Si po ecin negociatat Rusi-Ukrainë?
Bisedimet e mbështetura nga SHBA kanë ngecur për shkak të ofensivës së fundit ruse në lindje të Ukrainës, ku Moska kërkon që Kievi të dorëzojë pjesët e mbetura të rajonit të Donetskut para se të shqyrtojë fundin e luftës.
Ndërkohë, të dyja palët vazhdojnë sulmet ndaj njëra-tjetrës. Ukraina ka shënuar së fundmi goditje të rëndësishme ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Zyrtarët ukrainas thanë të dielën se sulmet ruse kishin vrarë të paktën tre persona dhe se në 24 orët e mëparshme kishte pasur afro 150 përplasje në vijën e frontit, pavarësisht pauzës treditore.
“Me fjalë të tjera, ushtria ruse nuk po respekton asnjë heshtje në front dhe as nuk po përpiqet shumë ta bëjë këtë,” tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes, duke shtuar se trupat ukrainase po kundërpërgjigjen dhe po mbrojnë pozicionet e tyre.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi Ukrainën për shkelje të armëpushimit, duke thënë se kishte rrëzuar 57 dronë ukrainas në një ditë dhe se ishte “përgjigjur në të njëjtën mënyrë” në fushën e betejës.
Edhe kontrolli mbi centralin bërthamor të Zaporizhias, më i madhi në Europë, mbetet një tjetër pikë përplasjeje.
Ndërsa Putin tha të shtunën se lufta mund të jetë “drejt fundit”, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se paqja në Ukrainë është ende “shumë larg”.
Të dielën, agjencia ruse Interfax citoi këshilltarin e Kremlinit Yury Ushakov të thoshte se të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të vizitojnë Moskën “së shpejti” për të vazhduar bisedimet me Rusinë.
A ka gjasa që Ukraina dhe Perëndimi t’i besojnë Shrëderit?
Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, reagoi me skepticizëm ndaj propozimit të Putinit.
“Nëse i japim Rusisë të drejtën të emërojë negociatorin në emrin tonë, kjo nuk do të ishte shumë e mençur,” tha ajo të hënën përpara takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel.
“Gerhard Shrëder ka qenë lobist i nivelit të lartë për kompani shtetërore ruse. Pra është e qartë pse Putini e do atë në këtë rol: sepse do të ishte sikur të ishte ulur në të dyja anët e tryezës,” shtoi ajo.
Edhe Gjermania e hodhi poshtë sugjerimin e Putinit. Reuters citoi një zyrtar gjerman të thoshte se oferta nuk ishte e besueshme, sepse Rusia nuk kishte ndryshuar asnjë nga kushtet e saj, duke theksuar se çdo bisedim i mundshëm me BE-në duhet të koordinohet ngushtë me shtetet anëtare dhe me Ukrainën.
Sipas atij zyrtari, që foli në kushte anonimiteti, Putin po bën oferta të rreme me synimin për të përçarë aleancën perëndimore.
©Lapsi.al