Abissnet Superiore ka mbyllur kampionatin e rregullt dhe tashmë të gjitha verdiktet janë dhënë. Për dikë ka qenë shpëtim, për një tjetër disfatë e për ndonjë tjetër një rezultat pa rëndësi. Sidoqoftë, në përfundim të javës së 36 të kampionatit, kanë folur të gjithë protagonistët.
Josa mbetet “pa gojë”
Bylis u mposht në transfertë nga Vora, me shifrat 5-2 në favor të vendasve, rezultat që solli edhe rënien e skuadrës ballshiote në Kategorinë e Parë. Pas ndeshjes, trajneri Mirel Josa zgjodhi të mos dilte përpara mikrofonave të RTSH-së, duke lënë të kuptohet se rrugët e tij me klubin mallakastriot edhe mund të ndahen.
Bellai ka falenderime për të gjithë
Tekniku i Vorës Arjan Bellai: “Kur arrin Superioren, të bazuar tek çunat shqiptarë me një bazë nga Kategoria e Parë, jam shumë i lumtur. Dhe tani që flas, dua t’i falënderoj shumë për atë që kanë dhënë në këto dy vite. E panë se çfarë ishte Superliga, krijuan eksperiencat e tyre, lojtarë që luajnë me shpirt dhe janë luftarak”.
Dede: Nuk e prisja të pësonim kaq gola”
Tekniku i Egnatias Nevil Dede: “E vërteta është qe se prisja të pësonim kaq gola. Aty kuptzova që kur mora dy golat. Mos harroni që luanim me para dy ditësh dhe pas tre ditësh luajmë dhe Kupën. Nuk prisja ndonjë gjë të madh, edhe si shkojnë pikët. Besonim bashkë me drejtuesit. Përgjegjësia më takon mua, faji është i imi në këtë humbje të sotme. Por gjithsesi, ajo që më pëlqeu është zotërimi i topit ku ishim të qartë."
Hodo: “Play-out nuk është ndonjë gëzim i madh”
Tekniku i Teutës Bledar Hodo: “Play-out nuk është ndonjë gëzim i madh. Do të jetë ndeshje shumë e rëndësishme, ta përgatisim mirë. Në fazën difensive patëm probleme, por problemi kryesor ishte që për 7 ditë kemi luajtur 3 ndeshje. Pogradeci apo Besa në play-out? Do të preferoja vetëm të fitoja ndeshjen, kam besim të plotë tek çunat, tek grupi, tek të gjitha, s’kam asnjë preferencë. Është ndeshje teke dhe si futbollist e kam kaluar dy herë, e di çfarë sikleti dhe emocioni është. Me këto surpriza, çfarë s’po ndodh”, tha Hodo.
Ribaj: Nuk e di çfarë po ndodh me Flamurtarin
Tekniku i Flamurtarit Andi Ribaj: "Çdo ndeshje normalisht futemi për të marrë fitoren, por futbolli është i tillë. Po ndoshta sepse kampionatri u mbyll që javën e parë dhe që është pak e vështirë të ngresh kokën. Çfarë po ndodh me Flamurtarin? Tani nuk e di, kemi bërë një diskutim për javën që vjen me presidentin dhe pastaj për të vendosur për tu kthyer më të fortë. Presidenti ka bërë investime të mëdha dhe dëshiroj të ketë shumë sukses Flamurtari në vazhdim”.
Borshi: “Na presin edhe 3 finale”
Zv/trajneri i Vllaznisë Ergi Borshi: “Normalisht është puna e gjithë vitit, synimi ka qenë vendi i parë. Kemi qenë konsistent në punën tonë. Kemi qenë të bindur që jemi të mirë, me këmbë në tokë, ekip për të rivalizuar çdo kundërshtar dhe për të synuar titullin kampion. Pjesën më të madhe të kampionatit, kemi dominuar. Tani na presin edhe 3 finale. Presidenti Xhaferi, fjalim? Pas çdo ndeshje ai është aty me ne. Na përgëzoi, na uroi, por nuk kemi arritur asgjë. Kjo është vetëm gjysma e punës”.
Shehi: “Merita e lojtarëve”
Tekniku i Tiranës, Orges Shehi: “Patjetër që kemi bërë rrugëtim të mirë, përveç atyre ndeshjeve të parave. Faza kaq qenë për meritë të djemve. Ka patur riskun e vetë, e kanë marrë me shumë dëshirë dhe vetëbesim që mund t’ia dilnim. Kemi stabilizuar dhe mbrojtjen dhe shumë pak ka patur ndryshime. Xhixha na ka munguar shumë, por gjithsesi na ka mjaftuar që të ishim në ekuilibër”.
Gvozdenovic: “I mërzitur që 100 milionët shkuan në Shkodër”
“Jam shumë i mërzitur. Faleminderit shumë tifozëve, para dhe pas ndeshjes. Tifozëve tonë do u them që tani në Final Four do të jemi më shumë të motivuar dhe do të luftojmë më fort. Jam pak i mërzitur për mbrojtjen, Elbasani deri më sot gjithmonë kur ishte fanatik në mbrojtje, dilte mirë. Sot humbëm vendin e parë e 100 milionët shkuan në Shkodër. Për të gjitha bashkë jemi mërzitur, edhe ne, por edhe presidenti. Minus financiar për ne. Ndoshta një gjë pozitive në Final Four është që ne do të vazhdojmë si vend i parë, avantazh i vogël për ne”.