Flash

BE dhe Ballkani Perëndimor takohen më 11 maj, në fokus dialogu Kosovë-Serbi

Lapsi.al 10 May 2026
BE dhe Ballkani Perëndimor takohen më 11 maj, në fokus dialogu

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) do të zhvillojnë më 11 maj një takim të përbashkët me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Diskutimi mes 27 shefave të diplomacisë evropiane dhe gjashtë ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit do të shërbejë si nxitje për vazhdimin e diskutimeve mbi situatën në rajon, të cilat do të mbahen po atë ditë, vetëm në nivel të ministrave evropianë.

Pritet që ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, të diskutojnë për përgatitjet për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në qershor në Tivat të Malit të Zi.

Diplomatë evropianë të përfshirë në përgatitjet e takimit kanë paralajmëruar se fokusi i diskutimit mes ministrave evropianë dhe homologëve të tyre nga rajoni do të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit, rritja e qëndrueshmërisë së shteteve të Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimeve të jashtme negative, harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe sanksionet, si dhe marrëdhëniet ndërmjet vetë vendeve të rajonit.

Në këtë drejtim, zyrtarë të njohur me përgatitjet e takimit kanë theksuar se ndër temat që Brukseli dëshiron t’i mbajë në fokus do të jetë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto burime paralajmërojnë se zyrtarët e Brukselit nuk janë të kënaqur me dinamikën e procesit.

“Megjithëse në muajt e fundit ka pasur disa rezultate, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ende nuk ka dinamikën që do të dëshironim të shihnim. Presim që gjatë diskutimit të jepet një shtysë shtesë për ta avancuar procesin”, tha një diplomat evropian që dëshironte të mbetej anonim.

Ky zyrtar konfirmoi gatishmërinë e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, që, siç tha ai, “ta luajë rolin e saj” në këtë proces.

Megjithatë, diplomatët në Bruksel paralajmërojnë se, pavarësisht gatishmërisë së saj për të thirrur një rund të ri dialogu në nivel liderësh, situata e brendshme në Kosovë e vështirëson realizimin e këtij qëllimi për shkak të cikleve të vazhdueshme zgjedhore në vend, gjë që reflektohet drejtpërdrejt edhe në vetë procesin e dialogut.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut në shtator të vitit 2023. Kaja Kallas mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor të vitit 2024 dhe deri më tani nuk ka pasur rast të jetë nikoqire e dialogut në nivelin më të lartë politik.

Gjatë vitit 2025, arsyetimi për mungesën e takimeve në kuadër të dialogut kanë qenë rrethanat e pafavorshme të brendshme politike, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, megjithëse të natyrës së ndryshme.

Në Serbi, që nga nëntori i vitit 2024 po mbahen protesta pas shembjes së strehës mbi hyrjen e stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 qytetarë.

Kosova, në anën tjetër, gjatë gjithë vitit të kaluar është përballur me krizë institucionale për shkak të mungesës së marrëveshjes politike për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve.

Në Kosovë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025, ndërsa zgjedhjet e reja janë caktuar për 7 qershor./ REL

Të këshilluara

ide

Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

21:40 Blendi Kajsiu

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.67

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI