Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se mund të ketë pasur një transmetim të rrallë të hantavirusit nga njeriu te njeriu në një anije holandeze turistike ku deri tani kanë humbur jetën 3 pasagjerë.
Virusi përhapet zakonisht nga brejtësit, por OBSH-ja thotë se në këtë rast mund të jetë përhapur midis "kontakteve shumë të ngushta" në bordin e anijes “MV Hondius”. Ajo theksoi se rreziku për popullatën ishte i ulët.
Dy anëtarë të ekuipazhit - një britanik dhe një holandez - do të evakuohen për qëllime mjekësore me aeroplan në Holandë, pasi kanë shfaqur "simptoma akute të frymëmarrjes", - thanë përfaqësues të anijes. Një person që kishte pasur kontakte me një shtetas gjerman që ndërroi jetë gjithashtu do të evakuohet.
Anija “MV Hondius” u nis nga Argjentina për udhëtimin e saj përmes Oqeanit Atlantik rreth një muaj më parë. Aktualisht ajo është e ankoruar pranë Kepit të Gjelbër në bregun perëndimor të Afrikës.
Ekipe mjekësore nga Kepi i Gjelbër, të mbështetura nga OBSH-ja, kanë hipur në anije për të ndihmuar rastet e dyshuara. Testimi po kryhet për pasagjerë të tjerë dhe anëtarë të ekuipazhit që shfaqin simptoma.
Imazhet e marra nga bordi i anijes turistike tregojnë punëtorë me kostume mbrojtëse nga rreziqet në një anije më të vogël pranë.
Rreth 149 persona nga 23 vende të botës po mbahen në bord nën "masa të rrepta paraprake". “Ne besojmë se mund të ketë pasur një transmetim nga njeriu te njeriu që po ndodh midis kontakteve vërtet të ngushta", - tha zyrtarja e OBSH-së, Dr. Maria Van Kerkhove.
Ajo shtoi se OBSH-ja dyshonte se personi i parë që u sëmur mund ta kishte marrë virusin përpara se të hipte në anije. 7 raste të hantavirusit, 2 të konfirmuara dhe 5 të dyshuara - janë identifikuar deri më tani, sipas përditësimit të fundit të OBSH-së.
2 rastet e konfirmuara janë një grua holandeze, e cila është midis atyre që humbën jetën, dhe një shtetase 69-vjeçare e Mbretërisë së Bashkuar e cila u evakuua në Afrikën e Jugut për trajtim mjekësor. Burri i gruas vdiq gjithashtu, por ai nuk është një rast i konfirmuar, ashtu si edhe shtetasi gjerman që ndërroi jetë më 2 maj.
Në një deklaratë, familja e çiftit holandez tha: “Udhëtimi i bukur që ata përjetuan së bashku u ndërpre papritur dhe përgjithmonë. Ende nuk jemi në gjendje ta kuptojmë se i kemi humbur. Dëshirojmë t'i sjellim në shtëpi dhe t'i përkujtojmë në paqe dhe privatësi", - thuhet në deklaratë.
Hetuesit po punojnë mbi supozimin se lloji i virusit të Andeve, i cili përhapet në Amerikën e Jugut ku filloi udhëtimi me anije, është gjetur në dy rastet e konfirmuara. OBSH-së iu tha se nuk kishte minj në bord, tha Van Kerkhove, duke shtuar se në anije po kryhej dezinfektimi dhe ata me simptoma ose që kujdeseshin për pacientët mbanin pajisje mbrojtëse personale.
Ajo vuri në dukje se anija kishte vizituar shumë ishuj të ndryshëm, disa prej të cilëve kanë brejtës, të cilët zakonisht përhapin virusin përmes jashtëqitjeve, pështymës ose urinës së tyre.
OBSH-ja tha se Spanja ka dhënë leje që anija të ankorohet në Ishujt Kanarie, ku mund të bëhet një vlerësim i rrezikut dhe monitorim i mëtejshëm mjekësor. Por ministria e shëndetësisë e Spanjës ka minimizuar spekulimet se do ta marrë anijen. Ata nuk thanë nëse pasagjerëve do t'u lejohej të zbrisnin. Edhe pse ata ende nuk mund të largohen nga anija, një pasagjer i tha BBC-së të hënën se atmosfera në anije ishte "mjaft e mirë".
"Shpresojmë që pacientët e tjerë në bord do të testohen së shpejti dhe pastaj do të dimë se çfarë po ndodh", shtoi pasagjeri, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Një tjetër pasagjer, vlogeri i udhëtimeve Jake Rosmarin, shkroi në një postim në rrjetet sociale: "Ka shumë pasiguri dhe kjo është pjesa më e vështirë. E tëra çfarë duam tani është të ndihemi të sigurt, të kemi qartësi dhe të kthehemi në shtëpi." ©LAPSI.al