Një person u qëllua nga Shërbimi Sekret pranë Shtëpisë së Bardhë pasi hapi zjarr. Gjendja e personit dhe rrethanat e ngjarjes nuk janë ende të qartë. Shërbimi Sekret tha se autori i të shtënave u qëllua nga forcat e rendit pranë Monumentit të Uashingtonit, në një zonë turistike të mbushur me njerëz, vetëm disa qindra metra larg nga Shtëpia e Bardhë. Shërbimi Sekret i bëri thirrje publikut të shmangë zonën ndërsa ekipet e emergjencës ndodhen në vendngjarje.
Rezidenca presidenciale, ku po zhvillohej një aktivitet me Donald Trump, u urdhërua të mbyllet ndërsa autoritetet po hetojnë incidentin. Sipas gazetarëve të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë, Shërbimi Sekret u kërkoi të gjitha mediave të pranishme në territorin e rezidencës të ktheheshin në sallën e shtypit.
Nuk është e qartë nëse të shtënat kishin ndonjë lidhje me Shtëpinë e Bardhë apo Presidentin Trump. Në ato momente Presidenti Trump ishte brenda Shtëpisë së Bardhë, ku po mbante një fjalim në një aktivitet kushtuar bizneseve të vogla.
Incidenti ndodhi në një distancë të konsiderueshme nga kompleksi i Shtëpisë së Bardhë. Monumenti i Uashingtonit ndodhet pak më shumë se një milje në jug të Shtëpisë së Bardhë.
Gazetarët u shoqëruan menjëherë nga lëndina veriore e Shtëpisë së Bardhë pas të shtënave dhe u strehuan në dhomën e shtypit. Tensionet janë të larta rreth Shtëpisë së Bardhë pasi, pak më shumë se një javë më parë, një burrë i armatosur me një pistoletë, një pushkë dhe disa thika arriti t'i shmangej sigurisë gjatë darkës vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. /LAPSI.al